Takim i Kryetares së Gjykatës Kushtetuese me përfaqësuesit e Fondacionit Gjerman për Bashkëpunim Ligjor Ndërkombëtar për Ballkanin Perëndimor.
Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, znj. Fiona Papajorgji, zhvilloi sot një takim me z. Stefan Pürner, Drejtor Ekzekutiv i programeve të IRZ-së për Ballkanin Perëndimor, si dhe me Franziska Behrendt, menaxhere projekti pranë IRZ-së.
Takimi u zhvillua në kuadër të bashkëpunimit të vazhdueshëm ndërmjet Gjykatës Kushtetuese dhe IRZ-së, i cili synon forcimin e kapaciteteve profesionale, shkëmbimin e praktikave më të mira dhe afrimin e jurisprudencës kushtetuese shqiptare me standardet evropiane.
Gjatë diskutimit u trajtua vijimi i bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët, përfshirë mbështetjen për aktivitetet profesionale, shkëmbimet institucionale dhe nismat që lidhen me rritjen e aksesit dhe informimit të publikut mbi drejtësinë kushtetuese.
Përfaqësuesit e të dy institucioneve vlerësuan bashkëpunimin shumë të mirë ndërinstitucional dhe shprehën gatishmërinë për forcimin e mëtejshëm të tij në të ardhmen.


