Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë merr pjesë në mbledhjen e Byrosë Drejtuese të ACCF-së në Bukuresht, 6 nëntor 2026.
Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, znj. Fiona Papajorgji, mori pjesë në mbledhjen e Byrosë Drejtuese të Shoqatës së Gjykatave Kushtetuese Frankofone (ACCF), ku u diskutuan veprimtaritë e Shoqatës gjatë vitit 2026 dhe prioritetet për periudhën 2027–2028.
Mbledhja u pasua nga një takim pune me temë “Legjitimiteti zgjedhor dhe garancitë kushtetuese në shoqërinë e informacionit”, ku morën pjesë edhe Presidenti dhe Kryeministri i Rumanisë, si dhe përfaqësues të gjykatave kushtetuese anëtare. Diskutimet u përqendruan në sfidat bashkëkohore të demokracicë, rëndësinë e garantimit të integritetit të proceseve zgjedhore dhe rolin e gjykatave kushtetuese në mbrojtjen e parimeve demokratike në kushtet e zhvillimeve teknologjike dhe të informacionit.
Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë, anëtare e ACCF-së që prej vitit 2002 dhe tashmë pjesë e strukturës së saj drejtuese, vijon të kontribuojë aktivisht në forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar, shkëmbimin e përvojave dhe promovimin e vlerave të kushtetutshmërisë, demokracisë dhe shtetit të së drejtës.





