Gjykata Kushtetuese dhe Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë nënshkruajnë Marrëveshje Bashkëpunimi

Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, znj. Fiona Papajorgji, dhe Rektori i Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë, Prof. Dr. Adrian Civici, nënshkruan sot, në ambientet e Gjykatës Kushtetuese, një Marrëveshje Bashkëpunimi, e cila synon krijimin e një kuadri të qëndrueshëm dhe afatgjatë për bashkëpunimin ndërinstitucional.

Marrëveshja synon të nxisë zhvillimin e veprimtarive të përbashkëta akademike, shkencore dhe profesionale në fushën e së drejtës kushtetuese, mbrojtjes së të drejtave dhe lirive themelore, si dhe forcimit të shtetit të së drejtës. Nëpërmjet këtij bashkëpunimi, palët synojnë të kontribuojnë në njohjen dhe promovimin e jurisprudencës kushtetuese, shkëmbimin e ekspertizës dhe përvojës profesionale, forcimin e kapaciteteve kërkimore dhe analitike, si dhe krijimin e mundësive për zhvillimin akademik dhe profesional të studentëve dhe stafit akademik.

Në zbatim të Marrëveshjes, parashikohet organizimi i konferencave, seminareve, leksioneve të hapura, veprimtarive kërkimore dhe nismave të tjera me karakter akademik dhe profesional. Këto veprimtari do të synojnë forcimin e dialogut ndërmjet drejtësisë kushtetuese dhe komunitetit akademik, si dhe zgjerimin e njohurive dhe ndërgjegjësimit mbi vlerat dhe parimet kushtetuese, duke garantuar në çdo rast respektimin e pavarësisë, paanshmërisë dhe rolit kushtetues të Gjykatës Kushtetuese.

Scroll to Top