Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë merr pjesë në Takimin e Katërt të Forumit të Gjykatave Kushtetuese të Ballkanit, 12–14 nëntor 2026.

Me ftesë të Gjykatës Kushtetuese të Maqedonisë së Veriut, një delegacion i Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, i përbërë nga gjyqtarja Marsida Xhaferllari dhe këshilltarja ligjore Elona Gjergjani, mori pjesë në Takimin e Katërt të Forumit të Gjykatave Kushtetuese të Ballkanit, si dhe në Konferencën Ndërkombëtare me temë “Sfidat bashkëkohore të shtetit të së drejtës: Roli i Gjykatave Kushtetuese“, të zhvilluara në Ohër, Republika e Maqedonisë së Veriut.

Në këtë aktivitet morën pjesë delegacione të gjykatave kushtetuese anëtare të Forumit Ballkanik, Kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Austrisë, Christoph Grabenwarter, në cilësinë e të ftuarit të nderit, gjyqtarë të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ), përfaqësues të Komisionit të Venecias, si dhe përfaqësues të gjykatave kushtetuese, institucioneve dhe organizatave të tjera vendase e ndërkombëtare.

Gjatë punimeve të Konferencës Ndërkombëtare, gjyqtarja Xhaferllari mbajti prezantimin me temë “Si të forcohet besimi i publikut te Gjykatat Kushtetuese”, në të cilin ndau përvojën e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë dhe theksoi rëndësinë e transparencës, komunikimit institucional dhe, veçanërisht, të ekzekutimit të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, si parakusht për efektivitetin e drejtësisë kushtetuese dhe të shtetit të së drejtës në mbrojtjen e të drejtave themelore.

Takimi i Katërt i Forumit Ballkanik shërbeu si një platformë për dialog gjyqësor dhe shkëmbimin e përvojave ndërmjet gjykatave kushtetuese. Diskutimet u përqendruan në forcimin e besimit të publikut, zbatimin e vendimeve të gjykatave kushtetuese, mbrojtjen e të drejtave kushtetuese në epokën e digjitalizimit, përdorimin e inteligjencës artificiale në juridiksionin kushtetues, si dhe sfidat që lidhen me ndryshimet klimatike dhe të drejtat e brezave të ardhshëm. Në kuadër të takimit u miratua edhe një deklaratë e Forumit.

Scroll to Top