Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë merr pjesë në Konferencën Ndërkombëtare për sfidat e inteligjencës artificiale dhe lirinë e shprehjes.
Një delegacion i Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, i përbërë nga gjyqtarja Marjana Semini dhe këshilltarja ligjore Ela Elezi, mori pjesë në konferencën ndërkombëtare me temë “E ardhmja e ‘tregut të ideve’ në epokën e rritjes së përdorimit të internetit, lajmeve të rreme dhe inteligjencës artificiale: sfidat për gjykatat kushtetuese”, e cila u organizua nga Gjykata Kushtetetuese e Republikës së Moldavisë dhe u zhvillua në Kishinau, në datën 24 prill 2026.
Në këtë aktivitet morën pjesë përfaqësues të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, Gjykatës së Drejtësisë së Bashkimit Evropian, Këshillit të Evropës dhe Komisionit të Venecias, si dhe delegacione nga gjykatat kushtetuese dhe gjykatat supreme të disa shteteve anëtare të Këshillit të Evropës por edhe më gjerë.
Në kuadër të punimeve të konferencës, gjyqtarja e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, znj. Marjana Semini, prezantoi referimin me temë “Kufijtë e përdorimit të inteligjencës artificiale në gjykimin kushtetues dhe përgjegjësia civile dhe penale në rastet që lidhen kryesisht me cenimin e dinjitetit njerëzor”. Në këtë referim u trajtuan çështjet që lidhen me përdorimin e inteligjencës artificiale në kontekstin kushtetues dhe penal, me theks të veçantë në lirinë e shprehjes dhe në përgjegjësinë juridike për përmbajtjet e gjeneruara nga kjo teknologji.





