Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë merr pjesë në Konferencën Vjetore të Institutit për të Drejtën Evropiane (European Law Institute - ELI).
Paris, 1–4 shtator 2026

Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, Fiona Papajorgji, dhe gjyqtarja Marsida Xhaferllari po marrin pjesë në Konferencën Vjetore të Institutit për të Drejtën Evropiane, e cila zhvillohet në Paris, më 1–4 shtator 2026.

Konferenca e këtij viti, e cila shënon edhe 15-vjetorin e krijimit të ELI-t, zhvillohet me temën “Evropa dhe shteti i së drejtës: angazhimi kulturor dhe qëndrueshmëria e sistemeve ligjore” dhe ka mbledhur gjyqtarë, profesionistë të së drejtës, akademikë dhe politikëbërës për të diskutuar sfidat aktuale të shtetit të së drejtës në Evropë. Në fokus të diskutimeve është forcimi i qëndrueshmërisë dhe integritetit të sistemeve ligjore, i lidhjes së tyre me qytetarët dhe i besimit të publikut tek institucionet.

Pjesëmarrja e Gjykatës Kushtetuese në këtë konferencë kontribuon në forcimin e dialogut dhe bashkëpunimit me gjykatat dhe institucionet juridike evropiane, si dhe në shkëmbimin e përvojave mbi çështje që lidhen me shtetin e së drejtës dhe zhvillimet bashkëkohore të së drejtës në Evropë.

Në këtë kuadër, ELI përbën një platformë të rëndësishme të dialogut juridik evropian, duke bashkuar ekspertizën e gjykatave, institucioneve akademike, organizatave ndërkombëtare dhe profesionistëve të së drejtës, me synim zhvillimin e së drejtës dhe forcimin e shtetit të së drejtës në Evropë.

Scroll to Top