Vizitë e trupës së gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë në Bari, Itali
Në datat 22–24 korrik 2026, një delegacion i Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, i kryesuar nga Kryetarja e Gjykatës, znj. Fiona Papajorgji, po zhvillon një vizitë pune në Bari, Itali. Delegacioni përbëhet nga gjyqtarët Marsida Xhaferllari, Sonila Bejtja, Sandër Beci, Ilir Toska, Genti Ibrahimi, Marjana Semini dhe Asim Vokshi.
Vizita synon forcimin e bashkëpunimit institucional dhe akademik ndërmjet Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë dhe institucioneve universitare, rajonale dhe vendore italiane, si dhe shkëmbimin e pikëpamjeve mbi çështje që lidhen me perspektivën evropiane të Shqipërisë, drejtësinë kushtetuese dhe marrëdhëniet historike e institucionale ndërmjet dy vendeve.
Në ditën e parë të vizitës, më 22 korrik 2026, delegacioni mori pjesë në takimin institucional dhe akademik me temë “Shqipëria në Evropë: Aspekte procedurale dhe materiale”, i cili u zhvillua në Universitetin e Barit “Aldo Moro”, pranë Departamentit të Ekonomisë dhe Financës, me pjesëmarrjen e pedagogëve, studiuesve dhe doktorantëve të Universitetit.
Takimi u hap me fjalët përshëndetëse të Prof. Cosimo Pietro Guarini, i deleguar i Rektorit të Universitetit të Barit “Aldo Moro”, Prof. Laura Serlenga, Drejtuese e Departamentit të Ekonomisë dhe Financës, si dhe Dr. Fiona Papajorgji, Kryetare e Gjykatës Kushtetuese. Në vijim, sesioni tematik është moderuar nga Prof. Vittorio Teotonico, pedagog pranë Departamentit të Ekonomisë dhe Financës të Universitetit të Barit “Aldo Moro” dhe Dekan i Fakultetit të Ekonomisë të Universitetit Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë” në Tiranë.
Në fjalën e saj, Kryetarja Papajorgji theksoi domethënien e veçantë të këtij takimi, i cili zhvillohet për të dytin vit radhazi me synimin për t’u shndërruar në një hapësirë të qëndrueshme dialogu dhe reflektimi ndërmjet atyre që interpretojnë dhe zbatojnë Kushtetutën dhe atyre që e studiojnë atë, e japin mësim dhe analizojnë zhvillimin e saj përmes kërkimit shkencor. Ajo vuri në dukje se marrëdhënia me botën akademike përbën një vlerë themelore për Gjykatën Kushtetuese, pasi dialogu me komunitetin shkencor ndihmon në kuptimin më të thelluar të zhvillimeve të së drejtës kushtetuese dhe në përballimin me më shumë vetëdije të sfidave të integrimit evropian.
Në kuadër të këtij sesioni referuan Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, si dhe gjyqtarët Sonila Bejtja dhe Genti Ibrahimi. Diskutimet u përqëndruan kryesisht në aspektet procedurale dhe materiale të procesit të integrimit evropian të Shqipërisë, në sfidat juridike dhe kushtetuese që lidhen me këtë proces, si dhe në rolin e institucioneve akademike dhe gjyqësore në forcimin e shtetit të së drejtës.
Working Visit of the judges of the Constitutional Court of Albania to Bari, Italy





