Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë merr pjesë online në Konferencën Ndërkombëtare me rastin e 17-vjetorit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, 22 tetor 2026.
Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, znj. Fiona Papajorgji, mori pjesë përmes një prezantimi online në Konferencën Ndërkombëtare me temë “Roli i gjykatave kushtetuese në mbrojtjen e demokracisë dhe funksionimin demokratik të institucioneve”, të organizuar në Prishtinë me rastin e 17-vjetorit të themelimit të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës.
Konferenca u çel me fjalët përshëndetëse të Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, z. Nexhmi Rexhepi, Shkëlqesisë së saj, znj. Justina Shiroka-Pula, Presidente e Republikës së Kosovës dhe z. Stephan Harbarth, Kryetar i Gjykatës Kushtetuese Federale të Gjermanisë, në cilësinë e folësit kryesor në konferencë.
Në prezantimin e saj me temë “Rëndësia e jurisprudencës së Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në interpretimin kushtetues”, Kryetarja Papajorgji theksoi rolin thelbësor të gjykatave kushtetuese si garantuese të rendit kushtetues, të vlerave demokratike dhe të ekuilibrit ndërmjet pushteteve. Ajo vuri në dukje se, përballë sfidave me të cilat përballen demokracitë bashkëkohore, bashkëpunimi dhe dialogu ndërmjet gjykatave kushtetuese dhe GJEDNJ-së marrin një rëndësi të veçantë, duke kontribuar në forcimin e shtetit të së drejtës dhe në zhvillimin e standardeve të përbashkëta të mbrojtjes së të drejtave dhe lirive themelore. Në këtë kuadër, ajo nënvizoi edhe rëndësinë e jurisprudencës së GJEDNJ-së si një pikë referimi për interpretimin kushtetues dhe për forcimin e mbrojtjes së të drejtave themelore në nivel kombëtar.
Konferenca bëri bashkë përfaqësues të lartë të institucioneve shtetërore, kryetarë dhe delegacione të gjykatave kushtetuese nga vende të ndryshme, përfaqësues të institucioneve të drejtësisë, të botës akademike, të trupit diplomatik, si dhe të organizatave vendase dhe ndërkombëtare, duke shërbyer si një platformë e rëndësishme për shkëmbimin e përvojave dhe thellimin e dialogut kushtetues.


