Pjesëmarrje e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë në Konferencën Ndërkombëtare me rastin e 35-vjetorit të Gjykatës Kushtetuese të Bullgarisë, 15 tetor 2026.

Një delegacion i Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, i përbërë nga gjyqtarët Gent Ibrahimi dhe Asim Vokshi, mori pjesë në Konferencën Ndërkombëtare me temë “Roli i Gjykatave Kushtetuese në Garantimin e Sundimit të Ligjit”, e cila u zhvillua në Sofje, Bullgari, me rastin e 35-vjetorit të krijimit të Gjykatës Kushtetuese të Bullgarisë.

Punimet e konferencës u zhvilluan në tri panele të fokusuara në çështje që lidhen me garantimin e pavarësisë institucionale të gjykatave kushtetuese, autoritetin e vendimeve të tyre dhe rolin e jurisprudencës kushtetuese në përballimin e sfidave të ndryshme shoqërore dhe institucionale.

Në prezantimin e mbajtur në një prej paneleve të konferencës, gjyqtari Gent Ibrahimi trajtoi marrëdhënien e ngushtë ndërmjet Kushtetutës dhe shoqërisë, duke theksuar se Kushtetuta nuk ekziston në vakuum, por është e lidhur ngushtë me realitetin shoqëror të cilin synon të rregullojë.

Në këtë aktivitet morën pjesë përfaqësues të gjykatave kushtetuese dhe institucioneve ekuivalente nga 31 vende të Evropës, Azisë dhe Afrikës, si dhe përfaqësues të organizatave ndërkombëtare, akademikë dhe profesionistë të së drejtës, duke ofruar një platformë të rëndësishme për shkëmbimin e përvojave dhe diskutimin mbi rolin e drejtësisë kushtetuese në garantimin e sundimit të ligjit.

Scroll to Top