Pjesëmarrje e Gjykatës Kushtetuese në ceremoninë përmbyllëse të procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë, 17 qershor 2026.
Trupa e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese ka marrë pjesë në ceremoninë përmbyllëse të procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë, të organizuar nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit pranë Gjykatës Kushtetuese. Ceremonia shënoi përmbylljen e një prej proceseve më të rëndësishme të reformës në drejtësi në Shqipëri dhe në forcimin e shtetit të së drejtës.
Në këtë aktivitet morën pjesë përfaqësues të lartë të institucioneve kushtetuese dhe të sistemit të drejtësisë, përfshirë Kuvendin e Shqipërisë, Këshillin e Ministrave, Gjykatën e Lartë, Prokurorinë e Posaçme, si dhe përfaqësues të misioneve ndërkombëtare dhe partnerëve strategjikë që kanë mbështetur reformën në drejtësi në Shqipëri.
Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese Fiona Papajorgji, gjatë sesionit me titull: “Roli dhe rëndësia e institucioneve të tjera kushtetuese në vazhdimësinë e standardeve të procesit”, vlerësoi se procesi i rivlerësimit kalimtar ka ndikuar në forcimin e kulturës institucionale të përgjegjshmërisë dhe integritetit, duke vendosur standarde të reja në ushtrimin e funksioneve publike dhe duke rikthyer besimin e publikut te drejtësia.
Duke theksuar rëndësinë e fazës së re institucionale që pason përfundimin e procesit të vettingut, znj. Papajorgji u shpreh:
“Gjykata Kushtetuese do vijojë të ushtrojë me përgjegjësi çdo kompetencë që Kushtetuta dhe ligji i kanë ngarkuar. Ajo është e vetëdijshme për rolin dhe përgjegjësitë e saj për të siguruar vazhdimësinë e standardeve të vetting-ut, por sidomos për të garantuar një proces të drejtë, të besueshëm dhe të pakontestueshëm nga palët. Për këtë qëllim, janë të mirëpritura edhe ndërhyrjet e kujdesshme dhe të balancuara ligjore.”
Kryetarja Papajorgji nënvizoi gjithashtu se ruajtja e besimit të publikut kërkon jo vetëm vazhdimësinë formale të kompetencave, por edhe vazhdimësinë substanciale të standardeve që janë ndërtuar gjatë viteve të zbatimit të reformës në drejtësi
Në këtë kuadër, Gjykata Kushtetuese mbetet e angazhuar për ushtrimin e kompetencave të saj në mënyrë të pavarur, të paanshme, në përputhje me Kushtetutën dhe parimet e shtetit të së drejtës, duke vlerësuar se ruajtja dhe konsolidimi i standardeve të reformës në drejtësi përbën një element thelbësor për forcimin e institucioneve demokratike dhe avancimin e procesit të integrimit evropian të Shqipërisë.




