Prezantimi i Raportit të veprimtarisë së Gjykatës Kushtetuese gjatë vitit 2024
Sipas një tradite të krijuar tashmë, Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, znj. Holta Zaçaj, zhvilloi sot më 24.02 2025, një konferencë për shtyp me përfaqësuesit e medias në vend, gjatë së cilës u bë prezantimi në mënyrë të detajuar i veprimtarisë së Gjykatës për vitin 2024, si dhe u evidentua angazhimi i këtij institucioni për mbrojtjen e Kushtetutës dhe forcimin e shtetit të së drejtës.
Gjatë konferencës për shtyp, Kryetarja Zaçaj theksoi rolin kyç të Gjykatës Kushtetuese në garantimin e të drejtave dhe lirive themelore të qytetarëve, duke nënvizuar rritjen me 16% të ankimeve kushtetuese individuale krahasuar me një vit më parë. Ajo vuri në dukje edhe përpjekjet e Gjykatës për të siguruar transparencë dhe akses më të gjerë të publikut dhe medias në vendimmarrjen gjyqësore.
Në fjalën e saj, Kryetarja Zaçaj u ndal edhe te rëndësia e respektimit afateve procedurale dhe rritja e cilësisë së vendimeve, pavarësisht ngarkesës dhe numrit të lartë të çështjeve. Ajo ritheksoi përkushtimin e institucionit për një gjykim të drejtë dhe efikas, në përputhje me standardet më të larta kushtetuese dhe ndërkombëtare.
Në fund të konferencës për shtyp pati edhe një sesion me pyetje dhe përgjigje për gazetarët, gjatë të cilit u përcoll qasja e hapur e Gjykatës për një komunikim dhe bashkëpunim të vazhdueshëm me median, me qëllim informimin e saktë dhe të paanshëm të publikut mbi veprimtarinë e saj.