Takimi Përgatitor i Rrethit të Kryetarëve në kuadër të kryesimit nga Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë të Konferencës së Gjykatave Kushtetuese Evropiane (CECC), 28 shkurt 2025

Takimi Përgatitor i Rrethit të Kryetarëve në kuadër të kryesimit nga Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë të Konferencës së Gjykatave Kushtetuese Evropiane (CECC), 28 shkurt 2025

Në kuadër të kryesimit nga Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë të Konferencës së Gjykatave Kushtetuese Evropiane (CECC) për periudhën 2024-2027, u zhvillua në Tiranë, në datën 28 shkurt 2025, Takimi Përgatitor i Rrethit të Kryetarëve, i cili është një prej organeve drejtuese dhe vendimmarrëse të kësaj Konference.

Në këtë aktivitet morën pjesë delegacione të nivelit të lartë të gjykatave kushtetuese evropiane, anëtare të CECC-së, shumica e të cilave kryesoheshin nga kryetarët e këtyre gjykatave.

Takimi Përgatitor i Rrethit të Kryetarëve u hap me fjalën përshëndetëse të Kryetares së Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, znj. Holta Zaçaj, njëkohësisht edhe Kryetare e CECC-së, e cila shprehu edhe një herë mirënjohjen për mbështetjen dhe besimin e dhënë për Gjykatën Kushtetuese shqiptare, duke theksuar rëndësinë që kanë këto organizime të drejtësisë kushtetuese në funksion të zhvillimit të dialogut mes gjyqtarëve dhe bashkëpunimit ndërinstitucional për shkëmbimin e përvojave dhe praktikave më të mira në fushën e drejtësisë kushtetuese.

Agjenda e takimit vijoi sipas rendit të ditës, pika e parë e të cilit ishte diskutimi i kërkesës së Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për anëtarësinë me të drejta të plota në CECC. Kjo kërkesë u votua dhe u pranua nga shumica e gjykatave kushtetuese anëtare të CECC-së, duke shënuar një moment historik për këtë gjykatë pas një përpjekjeje 14-vjeçare për të qenë pjesë integrale e rrjetit evropian të gjykatave kushtetuese.

Më pas, takimi vazhdoi me çështjet organizative të Kongresit të ardhshëm XX të Konferencës së Gjykatave Kushtetuese Evropiane, i cili do të zhvillohet në Shqipëri në vitin 2027, duke përcaktuar temën dhe datën e zhvillimit të këtij Kongresi, si dhe çështje të tjera të propozuara nga gjykatat kushtetuese anëtare.

Ky takim përgatitor përbën një hap të rëndësishëm drejt suksesit të Kongresit XX, duke forcuar rolin e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë në skenën ndërkombëtare dhe duke kontribuar në zhvillimin e drejtësisë kushtetuese në rajon dhe në Evropë.

Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë është anëtare me të drejta të plota e Konferencës së Gjykatave Kushtetuese Evropiane që nga viti 2002 dhe ka marrë pjesë rregullisht në kongreset dhe aktivitetet e saj.Konferenca e Gjykatave Kushtetuese Evropiane

E themeluar në vitin 1972, Konferenca bashkon rreth 40 gjykata dhe institucione kushtetuese ekuivalente, me synimin për të promovuar shkëmbimin e informacionit mbi metodat dhe praktikat e kontrollit kushtetues, si dhe për të ndarë përvoja dhe opinione mbi sfidat institucionale dhe juridike në fushën e së drejtës kushtetuese.

Fjalë përshëndetëse e Kryetares së Konferencës së Gjykatave Kushtetuese Evropiane, Znj. Holta Zaçaj, në Takimin Përgatitor të Rrethit të Kryetarëve Tiranë, 28 shkurt 2025 ALB

Fjalë përshëndetëse e Kryetares së Konferencës së Gjykatave Kushtetuese Evropiane, Znj. Holta Zaçaj, në Takimin Përgatitor të Rrethit të Kryetarëve Tiranë, 28 shkurt 2025 ENG

Scroll to Top