Seminar trajnues për këshilltarët ligjorë të Gjykatës Kushtetuese, 11 prill 2025.
Në kuadër të projektit të shkëmbimit midis Zyrës Gjyqësore të Anglisë dhe Wellsit dhe Shkollës së Magjistraturës në Shqipëri, me mbështetjen edhe të Ambasadës Britanike në Tiranë, është zhvilluar seminari trajnues me këshilltarët ligjorë të Gjykatës Kushtetuese lidhur me shkrimin dhe arsyetimin ligjor të vendimeve gjyqësore si dhe me përdorimin e precedentit. Seminari është moderuar nga tre gjyqtarë britanikë me përvojë në fusha të ndryshme të së drejtës, Gjyqtare Eady, HHJ Keith Raynor dhe Gjyqtari Sufiyan Rana.
Temat e trajtuara gjatë këtij seminari trajnues, të cilat u përzgjodhën dhe u diskutuan në mënyrë interaktive nga këshilltarët ligjorë ishin: Rregullat praktike për shkrimin dhe arsyetimin e vendimeve të gjykatës; si dhe Metodologjia e zbatuar për përdorimin e precedentëve dhe referimi i precedentëve në common-law.
Ky trajnim vjen në vijim të një dialogu të suksesshëm dhe profesional të iniciuar në vitin 2024 mes Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë dhe gjyqësorit të Mbretërisë së Bashkuar, me qëllim shkëmbimin e përvojave më të mira mes dy juridiksioneve.