Takim me Ambasadorin e Mbretërisë së Holandës në Republikën e Shqipërisë, 22 prill 2025
Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, znj. Holta Zaçaj, priti sot në një takim zyrtar në ambientet e kësaj gjykate, Ambasadorin e Mbretërisë së Holandës në Shqipëri, SH.T.Z. Reinout Vos, i shoqëruar nga znj. Edlira Osmani, eksperte e nivelit të lartë për shtetin e së drejtës. Në takim merrte pjesë edhe gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese, z. Gent Ibrahimi.
Gjatë takimit, Ambasadori Vos shprehu vlerësimin e tij për arritjet e deritanishme dhe progresin e bërë nga Shqipëria gjatë një periudhe gati 10 vjeçare që pas implementimit të reformës gjithëpërfshirëse në sistemin e drejtësisë, si dhe për rolin e luajtur nga Gjykata Kushtetuese në konsolidimin e shtetit të së drejtës dhe forcimin e demokracisë, si dy elemente kyç për procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Nga ana e saj, Kryetarja Zaçaj e falënderoi Ambasadorin për vizitën dhe ritheksoi angazhimin dhe vendosmërinë e palëkundur të Gjykatës Kushtetuese për ta kryer misionin e saj në përputhje me Kushtetutën, duke evidentuar edhe përpjekjet e kësaj gjykate në drejtim të konsolidimit të mëtejshëm të jurisprudencës, kërkimit të thelluar shkencor dhe referimit në standardet dhe praktikat më të mira të vendosura nga gjykatat homologe dhe Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut.