Takim i Kryetares së Gjykatës Kushtetuese me Ambasadoren e Zvicrës në Shqipëri

Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, znj. Fiona Papajorgji, priti sot në një takim kortezie Ambasadoren e Zvicrës në Republikën e Shqipërisë, Sh. S. znj. Siri Walt.

Kryetarja Papajorgji i uroi Ambasadores Walt suksese në përmbushjen e misionit të saj diplomatik në Shqipëri dhe vlerësoi marrëdhëniet e konsoliduara të bashkëpunimit ndërmjet Gjykatës Kushtetuese dhe Ambasadës së Zvicrës.

Gjatë takimit, znj. Papajorgji e njohu Ambasadoren me rolin dhe veprimtarinë e Gjykatës Kushtetuese në garantimin e respektimit të Kushtetutës dhe mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, si dhe me zhvillimet më të fundit në veprimtarinë e saj.

Ambasadorja Walt shprehu angazhimin për vijimin e dialogut dhe bashkëpunimit me Gjykatën Kushtetuese. Ajo vlerësoi rëndësinë e shkëmbimit të përvojave dhe të mbështetjes së nismave me interes të përbashkët, në funksion të forcimit të shtetit të së drejtës dhe konsolidimit të drejtësisë kushtetuese.

Në përfundim të takimit, palët riafirmuan vullnetin për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit institucional.

Scroll to Top