Takim i Kryetares së Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë me Ambasadorin e Republikës Federale të Gjermanisë në Tiranë, 19 shkurt 2024

Takim i Kryetares së Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë me Ambasadorin e Republikës Federale të Gjermanisë në Tiranë, 19 shkurt 2024

Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, znj. Holta Zaçaj, priti sot në një takim zyrtar në ambientet e kësaj gjykate, Ambasadorin e Republikës Federale të Gjermanisë në Shqipëri, Sh.T.Z. Karl Bergner, i cili shoqërohej në këtë takim nga Zëvendësambasadori, z. Thilo Schroeter.

Kryetarja Zaçaj bëri një përmbledhje të shkurtër të veprimtarisë të Gjykatës Kushtetuese përgjatë vitit 2023, duke evidentuar edhe disa prej arritjeve më të spikatura, siç është hartimi i Udhërrëfyesit (Guidës) për Jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese, dokument i realizuar me mbështetjen e Zyrës së Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, si dhe përqasjen e re të gjykatës ndaj publikut dhe medias. Ajo nënvizoi miratimin e Rregullores së Marrëdhënieve të Gjykatës Kushtetuese me Median dhe praktikën e suksesshme që po rezulton nga takimet dhe konferencat për shtyp pas çdo vendimmarrjeje të rëndësishme.

Nga ana e tij, Ambasadori e vuri theksin mbi rëndësinë që ka institucioni i Gjykatës Kushtetuese, jo vetëm në sistemin e drejtësisë por edhe në jetën politike të vendit, duke nënvizuar rëndësinë e zbatimit të vendimeve që ajo jep, të ruajtjes së pavarësisë dhe integritetit.

Gjatë takimit, Kryetarja Zaçaj shprehu falënderimet dhe mirënjohjen për mbështetjen e deritanishme të dhënë nga shteti gjerman, duke evidentuar bashkëpunimin e shkëlqyer të Gjykatës Kushtetuese me disa fondacione gjermane që ushtrojnë veprimtarinë e tyre në Shqipëri.

Po ashtu, Kryetarja evidentoi edhe bashkëpunimin me Gjykatën Kushtetuese Federale Gjermane, i cili është konkretizuar së fundmi me një vizitë të trupës së gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë pranë kësaj gjykate. në janar të këtij viti.

Ambasadori Bergner rikonfirmoi mbështetjen e zyrës së tij për Gjykatën Kushtetuese në lidhje me programe të ndryshme për shtetin e së drejtës, të parashikuara nga shteti gjerman për Shqipërinë.

Scroll to Top