Takim i Kryetares së Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, znj. Holta Zaçaj, me Ambasadorin e Italisë në Shqipëri, Shkëlqesinë e Tij, z. Marco Alberti.
Sot, në datën 25.02.2024, Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, znj. Holta Zaçaj, ka pritur në një takim kortezie, në ambjentet e kësaj gjykate, Ambasadorin e ri të Italisë në Shqipëri, Sh.T.Z. Marco Alberti, i cili shoqërohej nga Zëvendës Ambasadori Dott. Luigi Mattirolo.
Gjatë takimit, Kryetarja Zaçaj ndau me Ambasadorin Alberti kënaqësinë e veçantë të bashkëpunimit shumë të mirë me Gjykatën Kushtetuese të Italisë, bashkëpunim i cili është konkretizuar gjatë vitit 2024 me një vizitë studimore pranë kësaj gjykate dhe rivitalizimin e marrëveshjes bilaterale të nënshkruar mes dy gjykatave kushtetuese. Në kuadër të këtij bashkëpunimi, gjatë vitit 2025, me qëllim shkëmbimin e përvojave në lidhje me jurisprudencat respektive dhe vendim-marrje të caktuara të rëndësishme, të cilat prekin jo vetëm veprimtarinë e përditshme të gjykatave, por edhe jurisprudencën kushtetuese në përgjithësi, do të ketë organizime të veprimtarive me karakter shkencor me pjesëmarrjen e këshilltarëve ligjorë dhe strukturave kërkimore të secilës gjykatë.
Kryetarja Zaçaj shprehu mirënjohjen e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë për angazhimin dhe përkushtimin e Ambasadës së Italisë në vendin tonë, jo vetëm për çuarjen përpara të marrëdhënieve institucionale me gjykatat më të larta të shtetit italian, por edhe për mbështetjen e dhënë nga qeveria italiane në kuadër të projekteve me partnerët ndërkombëtarë në fushën e drejtësisë.