Takim i Kryetares së Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, Znj. Holta Zaçaj, me Ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Shqipëri, Shkëlqesinë e Tij Z. Alastair King-Smith
Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, znj. Holta Zaçaj, zhvilloi sot, më 13.02.2024, një takim me Ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Shqipëri, Shkëlqesinë e Tij Z. Alastair King-Smith.
E pyetur nga Ambasadori King-Smith lidhur me sfidat dhe arritjet më të rëndësishme për vitin 2023, Kryetarja Zaçaj bëri një përmbledhje të shkurtër të veprimtarisë intensive të Gjykatës Kushtetuese përgjatë këtij viti të lidhur me numrin e madh të çështjeve dhe rëndësinë e veçantë të disa prej tyre për publikun. Kryetarja Zaçaj evidentoi edhe disa prej arritjeve më të spikatura, siç është hartimi i Udhërrëfyesit (Guidës) për Jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese, dokument i realizuar me mbështetjen e Zyrës së Prezencës së OSBE-së në Shqipëri.
Gjatë takimit ajo vuri theksin te rëndësia e pavarësisë dhe ruajtjes së integritetit të Gjykatës Kushtetuese, që duhet të nisë nga rritja e buxhetit për plotësimin e nevojave më kryesore të gjykatës dhe shtimi i numrit të këshilltarëve ligjorë, domosdoshmëri që vjen nga numri i lartë i çështjeve dhe përmirësimi i cilësisë së vendimeve.
Më pas, znj. Zacaj prezantoi sfidat për krijimin e një sistemi të ri elektronik të menaxhimit të çështjeve dhe përpjekjet e bëra për një bashkëpunim të pritshëm dhe të suksesshëm me Ambasadën Suedeze për këtë objektiv. Po ashtu, ajo prezantoi nismën për ridizenjimin e faqes zyrtare të internetit të Gjykatës Kushtetuese dhe programe e tjera të transparencës përmes bashkëpunimit financiar me Ambasadën Zvicerane.
Nga ana e tij, Ambasadori King-Smith shprehu gatishmërinë për të ndihmuar Gjykatën Kushtetuese dhe sistemin e drejtësisë në Shqipëri, duke u fokusuar veçanërisht në përpjekjet për përfshirjen e Gjykatës Kushtetuese në projekte konkrete bashkëpunimi, me synim thellimin e shkëmbimit të përvojave në fusha të ndryshme ekspertize në funksion të rritjes së kapaciteteve dhe përmirësimit të veprimtarisë vendimmarrëse.
