Takim në Gjykatën Kushtetuese me disa juristë të rinj gjermanë, 24 shkurt 2026.
Një grup juristësh të rinj gjermanë të cilët po kryejnë praktikën e tyre profesionale (Referendariat) pranë Gjykatës së Lartë Rajonale të Hamm, Gjermani, zhvilluan sot një vizitë edhe në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë. Në takimin që ata patën me gjyqtarin Asim Vokshi dhe këshilltaren ligjore, Ela Elezi, u prezantua roli dhe mënyra e funksionimit të Gjykatës Kushtetuese shqiptare, ecuria e reformës së ndërmarrë në sistemin e drejtësisë, si dhe u vlerësua mbështetja e vazhdueshme e ofruar nga Bashkimi Evropian, veçanërisht nga shteti gjerman, në këtë proces të rëndësishëm.
Juristët gjermanë, të cilët së shpejti do t’u bashkohen institucioneve të ndryshme të drejtësisë në Gjermani ose në Bashkimin Evropian, si avokatë, gjyqtarë apo prokurorë, theksuan nevojën e vendosjes së urave të bashkëpunimit, veçanërisht përmes shkëmbimeve të gjyqtarëve të rinj nga Shqipëria dhe Gjermania, me qëllim kontribuimin në forcimin e shtetit të së drejtës. Një nismë e tillë do të sillte përfitim të ndërsjellë për të dy vendet, në kuadër të organizimit të një misioni të ngjashëm njohës (fact-finding) nga gjyqtarë të rinj shqiptarë në Gjermani, veçanërisht në Landin e North Rhine-Westphalia.
