Takimi i 9-të i Rrjetit të Gjykatave Supreme (SCN)
Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë mori pjesë në takimin e 9-të të Forumit Vjetor të Rrjetit të Gjykatave Supreme (SCN), i cili u zhvillua në Strasburg në datat 4 dhe 5 qershor 2026. Ajo u përfaqësua në këtë veprimtari nga këshilltarja e Njësisë së Shërbimit Ligjor, Ela Elezi.
Rrjeti i Gjykatave Supreme (SCN) është krijuar nga Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut në vitin 2015 dhe ka për qëllim krijimin e një dialogu midis gjykatave vendase në zbatimin dhe interpretimin e Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Takimi kishte në fokus temën “Biznesi dhe të Drejtat e Njeriut” dhe u përshëndet nga Kryetari i Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, z. Mattias Guyomar, i cili theksoi mënyrën se si kjo gjykatë ka trajtuar çështjet që kanë të bëjnë me biznesin: çështjet e ngritura nga bizneset që kundërshtojnë rregulloret dhe çështjet që kanë të bëjnë me detyrimet pozitive të shtetit për të rregulluar aktivitetet e biznesit, kur ato mund të kenë ndikuar në të drejtat e individëve. Në vijim u zhvilluan sesione me grupe pune gjatë të cilave u shkëmbyen eksperienca në lidhje me temën: “Digjitalizimi: Mjetet e inteligjencës artificiale, mjetet dhe zgjidhjet e IT-së për menaxhimin e dokumenteve dhe përpunimin e çështjeve, si arkivimi elektronik, seancat dëgjimore virtuale, aksesi në prova digjitale, siguria kibernetike.”.
Pjesëmarrja e Gjykatës Kushtetuese në këtë veprimtari u mbështetet nga projekti “Mbrojtja e të drejtës së pronës dhe lehtësimi i ekzekutimit të vendimeve të GJEDNJ-së në Shqipëri (D-REX III)”, i cili është pjesë e Instrumentit Horizontal të përbashkët të Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë.

