Vizitë punë e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese në Strasburg, 8 – 9 dhjetor 2025

Vizitë punë e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese në Strasburg, 8 – 9 dhjetor 2025

Një delegacion i Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, i kryesuar nga Kryetarja në detyrë, Marsida Xhaferllari, dhe i përbërë nga gjyqtarët Fiona Papajorgji, Sandër Beci, Marjana Semini dhe Asim Vokshi, si dhe Ela Elezi, këshilltare ligjore, zhvilloi një vizitë pune në Departamentin për Ekzekutimin e Vendimeve të GJEDNJ-së, në Strasburg.

Qëllimi i kësaj vizite pune, e cila u organizua edhe me mbështetjen e Këshillit të Evropës, ishte shkëmbimi i qëndrimeve dhe pikëpamjeve me përfaqësuesit e Departamentit për Ekzekutimin e Vendimeve të GJEDNJ-së, Sekretariatit të Komitetit të Ministrave, Asamblesë Parlamentare, Komisionit Evropian për Efikasitetin e Drejtësisë (CEPEJ) dhe Drejtorisë së Përgjithshme të të Drejtave të Njeriut dhe Shtetit të së Drejtës të Këshillit të Evropës, për sa i përket ekzekutimit të vendimeve të GJEDNJ-së për Shqipërinë, evidentimit të praktikave më të mira, si dhe të sfidave që lidhen me procesin e ekzekutimit të vendimeve dhe drejtësinë kushtetuese në përgjithësi.

Gjatë sesioneve të punës u diskutua mbi vendimet konkrete të marra nga GJEDNJ për Shqipërinë, duke nënvizuar rëndësinë që mbart ekzekutimi i tyre jo vetëm si përmbushje e detyrimeve ndërkombëtare, por edhe për të garantuar zbatimin efektiv të të drejtave themelore në praktikë. Po ashtu, u diskutuan aspekte thelbësore që lidhen me ekzekutimin e këtyre vendimeve si rihapja e procedurave gjyqësore, sigurimi i aksesit të individit në gjykimin kushtetues, kohëzgjatja e procedurave gjyqësore civile e penale dhe mungesa e një mjeti efektiv në këtë drejtim.

Kryetarja në detyrë Marsida Xhaferllari shprehu vlerësimin për bashkëpunimin e deritanishëm dhe realizimin me sukses të kësaj vizite dhe bëri një prezantim lidhur me temën: “Aksesi në Gjykatë: sfidat strukturore dhe sistemike”. Ajo theksoi gjithashtu gatishmërinë dhe rolin që Gjykata Kushtetuese ka luajtur ndër vite për të kontribuuar në zbatimin e vendimeve të GJEDNJ-së, për përmirësimin e standardeve dhe të sistemit shqiptar për mbrojtjen e të drejtave themelore.

Në kuadër të kësaj vizite, delegacioni i Gjykatës Kushtetuese zhvilloi një takim pune edhe me gjyqtarin për Shqipërinë në GJEDNJ, z. Darian Pavli, gjatë të cilit u diskutua në lidhje me forcimin e dialogut gjyqësor, rolin e Gjykatës Kushtetuese si një filtër paraprak i kërkesave që i drejtohen GJEDNJ-së, si dhe kontributin e të dyja gjykatave në garantimin e të drejtave themelore të individëve.

Scroll to Top