Takim i Kryetares së Gjykatës Kushtetuese me gjyqtarë të Gjykatës Supreme dhe gjykatave rajonale të Vjenës, 10 tetor 2023.
Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, znj. Holta Zaçaj, priti në një takim në ambientet e kësaj Gjykate, një delegacion me gjyqtarë të Gjykatës Supreme dhe gjykatave rajonale të Vjenës. Delegacioni austriak, i cili përbëhej nga Dr. Frederick Lendl, Kryetar Senati i Gjykatës Supreme, Mag Raimund Wurzer dhe Mag. Dr. Bernhard Wurdinger, gjyqtarë në Gjykatën Supreme, Dr. Waltraud Berger, Kryetar i Gjykatës Rajonale për Çështjet Civile, Mag. Dr. Maria-Elisabeth Wanke-Czerwenka, Kryetare Senati e Gjykatës më të Lartë Rajonale të Vjenës, dhe z. Georg Stawa, Këshilltar për Europën Juglindore, përfaqësonte një grup gjyqtarësh të gjykatave të Vjenës që po zhvillon këto ditë në Shqipëri një vizitë pune dhe kulturore. Në këtë takim ishin të pranishme edhe znj. Elsa Toska dhe znj. Marjana Semini, gjyqtare në Gjykatën Kushtetuese.
Në fokus të takimit ishte mënyra e organizimit dhe funksionimit të sistemeve gjyqësore respektive, duke evidentuar ngjashmëritë dhe dallimet ndërmjet tyre, si dhe modelet mbi të cilat ato janë ngritur dhe kanë përshtatur veprimtarinë e tyre. Gjatë takimit pati pyetje dhe shkëmbime përvojash veçanërisht sa i takon dallimit mes juridiksionit të zakonshëm dhe atij kushtetues, si dhe një përshkrim nga ana e Kryetares Zaçaj lidhur me ndryshimet që solli reforma në drejtësi e vitit 2016, në mënyrën e kompozimit dhe zgjerimin e kompetencave të Gjykatës Kushtetuese.
