Vizitë e pedagogëve dhe studentëve të Fakultetit të Drejtësisë në Gjykatën Kushtetuese, 24 prill 2025

Vizitë e pedagogëve dhe studentëve të Fakultetit të Drejtësisë në Gjykatën Kushtetuese, 24 prill 2025

Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, znj. Holta Zaçaj, dhe këshilltarët e Njësisë së Shërbimit Ligjor pranë kësaj Gjykate mirëpritën sot në ambjentet e Gjykatës Kushtetuese Zëvendësdekanin e Fakultetit të Drejtësisë në Universitetin e Tiranës, Prof.Asoc.Dr. Erion Muharremaj, Prof. Dr. Aurela Anastasin, pedagogë dhe studentë të këtij fakulteti. Qëllimi i takimit ishte prezantimi i Projektit të ndërmarrë nga Departamenti i së Drejtës Publike me titull “Përafrimi i legjislacionit me standardet evropiane përmes gjykimit kushtetues”, i zbatuar me mbështetjen e Agjencisë Kombëtare të Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit. 

Fillimisht u prezantuan disa gjetje të rezultuara nga studimi i jurisprudencës së Gjykatës për periudhën 2009-2024 lidhur me mënyrën se si janë trajtuar në këtë vendimmarrje çështjet që kanë të bëjnë me pajtueshmërinë me Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit dhe aktet e Bashkimit Evropian, me fokus rolin që mund të luajë Gjykata në procesin e përafrimit të legjislacionit të brendshëm me atë të Bashkimit Evropian.

Gjatë takimit u shkëmbyen mendime nga pjesëmarrësit lidhur me qasjen e Gjykatës drejt së drejtës së Bashkimit Evropian dhe vetë praktikës së Gjykatës Evropiane të Drejtësisë, si dhe u parashtruan pyetje edhe në lidhje me vendimmarrje konkrete. Pjesëmarrësit u ndalën tek roli i Gjykatës Kushtetuese jo vetëm gjatë procesit të anëtarësimit, por edhe në pozitën e saj në raport me atë të Gjykatës Evropiane të Drejtësisë pas marrjes së statusit të vendit anëtar në Bashkimin Evropian.

Kryetarja Zaçaj parashtroi disa nga qëndrimet e mbajtura nga Gjykata në lidhje me pozicionin e  Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit në rendin juridik, si dhe mënyrës se si ajo i qaset praktikës së Gjykatës Evropiane të Drejtësisë, sikundër iu përgjigj edhe pyetjeve të pjesëmarrësve. Ajo theksoi, gjithashtu, se roli dhe pozicioni i gjykatave kushtetuese në rendin evropian përbën një çështje debati të vazhdueshëm ligjor, jo vetëm për vendet që presin të anëtarësohen në Bashkimin Evropian, por edhe për vendet që janë anëtare prej vitesh. 

Në fund të takimit, Kryetarja Zaçaj përgëzoi nismën e ndërmarrë nga Fakulteti i Drejtësisë, duke vlerësuar rëndësinë e projekteve, kërkimeve dhe studimeve të kësaj natyre, si dhe të doktrinës shkencore e akademike, të cilat i ofrojnë gjykimit kushtetues një perspektivë tjetër të vyer për të zhvilluar më tej mendimin ligjor. Ajo i inkurajoi të rinjtë të vijojnë ta mbajnë të gjallë interesin e tyre në fushën e së drejtës dhe drejtësisë kushtetuese.

Scroll to Top