Pjesëmarrje e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë në Konferencën Ndërkombëtare të organizuar nga Gjykata Kushtetuese e Letonisë, Riga, datë 25 prill 2025.
Me ftesë të Gjykatës Kushtetuese të Letonisë, znj. Brunilda Bara, këshilltare ligjore në Gjykatën Kushtetuese të Shqipërisë, mori pjesë në konferencën ndërkombëtare me temë: “Roli i gjykatave kushtetuese në forcimin e vlerave evropiane të përbashkëta përballë sfidave bashkëkohore,” të organizuar në Riga, Letoni, në kuadër të projektit “Mbështetje për zhvillimin e drejtësisë kushtetuese në Ukrainë”, dhe të realizuar si pjesë e Fazës së III-të të Programit të Përbashkët të Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës “Partneriteti për Mirëqeverisje”.
Përgjatë punimeve të kësaj konference pjesëmarrësit theksuan rëndësinë e forcimit të vlerave të demokracisë përballë sfidave bashkëkohore, mënyrat se si shtetet reagojnë në emergjenca, veçanërisht lidhur me respektimin e parimit të ndarjes së pushteteve; sfidave ndaj demokracisë, shtetit të së drejtës dhe pluralizmit; sfidave për dinjitetin njerëzor, liritë dhe të drejtat e njeriut; sigurimin e lirisë për qytetarët dhe mbrojtjen nga arbitrariteti; rolin e mediave në këtë proces, etj. Në përfundim, pjesëmarrësit theksuan rëndësinë e zbatimit të njohurive të fituara nga kjo veprimtari ndërkombëtare lidhur me veprimet konkrete të institucioneve për mbrojtjen e vlerave evropiane.