Vizitë pune e këshilltarëve të Njësisë së Shërbimit Ligjor dhe Drejtorisë së Kërkimit Ligjor, Studimeve dhe Botimeve të Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg, 6 – 7 maj 2025

Vizitë pune e këshilltarëve të Njësisë së Shërbimit Ligjor dhe Drejtorisë së Kërkimit Ligjor, Studimeve dhe Botimeve të Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg, 6 – 7 maj 2025.

Me mbështetjen e Fondacionit Gjerman për Bashkëpunimin Ligjor Ndërkombëtar (IRZ), e cila u bë e mundur falë financimit nga Ministria Federale Gjermane e Drejtësisë dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, si dhe në bashkërendim me Zyrën e Gjyqtarit të zgjedhur për Shqipërinë në Gjykatën Evropiane të të Drejtave te Njeriut (GJEDNJ), një delegacion i Gjykatës Kushtetuese të Shqiperisë zhvilloi një vizitë studimore dy ditore pranë GJEDNJ-së, ne datat 6-7 maj 2025. Delegacioni përbëhej nga këshilltarët e Njësisë së Shërbimit Ligjor dhe drejtuesja e Drejtorisë së Kërkimit Ligjor, Studimeve dhe Botimeve. 

Gjatë ditës së parë të vizitës, pjesëmarrësit patën mundësinë të dëgjonin nga ekspertët e GjEDNj-së mbi jurisprudencën dhe qëndrimet e Gjykatës lidhur me disa nga të drejtat e garantuara nga Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Ata gjithashtu u informuan mbi procedurën e shqyrtimit të çështjeve, si edhe mbi risitë e metodologjisë së kërkimit në platformat e GjEDNj-së si HUDOC dhe Knowledge Sharing.  

Gjatë ditës së dytë të vizitës delegacioni ndoqi një seancë publike të Dhomës së Madhe (Grand Chamber) të GjEDNJ-së për çështjen Yasak c. Türkiye (n° 17389/20). Po ashtu, nën kujdesin e veçantë të Gjyqtarit të zgjedhur për Shqipërinë në GjEDNj, z. Darian Pavli, delegacioni u prit në një takim pune me të ku ishin të pranishëm edhe përfaqësuesit e Njësisë Ligjore për Shqipërinë. Gjatë këtij takimi u prezantuan dhe u diskutuan qëndrimet e GjEDNj -se në lidhje me disa nga çështjet që kanë të bëjnë me Shqipërinë dhe veçanërisht me disa aspekte të gjykimit kushtetues.

Scroll to Top