Pjesëmarrje e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë në Kongresin e 29-të Botëror të Ligjit, 5-8 maj 2025, Santo Domingo, Republika Dominikane

Pjesëmarrje e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë në Kongresin e 29-të Botëror të Ligjit, 5-8 maj 2025, Santo Domingo, Republika Dominikane

Me ftesë të World Law Foundation & World Jurist Association, një delegacion i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, i kryesuar nga Kryetarja e kësaj Gjykate, znj. Holta Zaçaj, dhe i përbërë nga znj. Sonila Bejtja dhe z. Gent Ibrahimi, gjyqtarë, po merr pjesë në Kongresin e 29-të Botëror të Ligjit, i cili po i zhvillon punimet në Santo Domingo, Republika Dominikane, në datat 4 – 6 maj 2025. Kryetarja Zaçaj do të marrë pjesë në vijim, në datat 6 – 8 maj 2025, në edicionin e parë të takimit strategjik të nivelit të lartë për forcimin e shtetit të së drejtës, i cili do të sjellë së bashku drejtuesit më të rëndësishëm të lidhur me Shoqatën Botërore të Juristëve për diskutuar mbi situatën aktuale të demokracisë në botë dhe institucionet e saj.

Kongresi i 29-të Botëror i Ligjit është hapur me një ceremoni solemne, me pjesëmarrjen e personaliteteve me të larta vendase dhe ndërkombëtare, gjatë së cilës është përcjellë angazhimi dhe kontributi për forcimin e mëtejshëm të demokracisë dhe shtetit të së drejtës.

Gjatë ditës së dytë, Kongresi u organizua me disa tryeza diskutimesh ku pati referime nga panelistë të ndryshëm nga e gjithë bota. Përfaqësuesit e Gjykatës Kushtetuese moderuan dhe referuan në disa prej paneleve. Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese Holta Zaçaj drejtoi panelin me titull: “Drejtësia Kushtetuese në Vështrim Krahasues I”; gjyqtarja Sonila Bejtja drejtoi panelin me titull: “Konfliktet Kushtetuese të Juridiksionit midis Qeverive Qëndrore dhe Federale”; gjyqtari Gent Ibrahimi referoi në panelin me titull: “Zbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese”.   

Punimet e Kongresit janë mbyllur me dhënien e çmimeve të mirënjohjes për disa personalitete të rëndësishme dhe nderuan nga prezenca e Shkëlqesisë së Tij, Mbreti Felipe VI i Spanjës dhe Shkëlqesisë së Tij, Luis Abinader, President i Republikës Dominikane. Gjatë kësaj ceremonie, Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, znj. Holta Zaçaj, ka mbajtur  një fjalë përshëndetëse lidhur me ftesën për ta zhvilluar Kongresin e ardhshëm të 30-të Botëror të Ligjit në Shqipëri, gjatë së cilës ajo u shpreh se: Dhënia e besimit për organizimin e Kongresit të Shoqatës Botërore të Juristëve për vitin 2027 është një nder historik për vendin tim — një komb i vogël me një zemër të madhe, historia e të cilit ka qenë ajo e qëndrueshmërisë, transformimit dhe besimit të palëkundur në fuqinë e dialogut dhe solidaritetit. Le të riafirmojmë së bashku misionin tonë të përbashkët: për të mbrojtur dinjitetin e ligjit, për të garantuar të drejtat e njeriut dhe për të siguruar që drejtësia të mos mbetet thjesht një parim, por një premtim i gjallë për çdo qytetar, në çdo cep të botës”.

Scroll to Top