Gjykata Kushtetuese prezanton Raportin Vjetor 2025
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë prezantoi sot Raportin Vjetor 2025, në një aktivitet të posaçëm të organizuar me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të institucioneve shtetërore, akademikëve, ekspertëve të së drejtës kushtetuese dhe përfaqësuesve të medias.
Në fjalën e saj, Kryetarja e Gjykatës, znj. Fiona Papajorgji, e cilësoi vitin 2025 si një fazë të rëndësishme në konsolidimin e jurisprudencës kushtetuese dhe në forcimin e rolit të Gjykatës si garantuese e rendit kushtetues, shtetit të së drejtës dhe e të drejtave dhe lirive themelore, duke u shprehur, midis të tjerave, se:
“Numri në rritje i kërkesave është vlerësuar si shprehje e rritjes së besimit të publikut në garancitë e drejtësisë kushtetuese, si dhe si afirmim i rolit të Gjykatës në mbrojtjen e të drejtave themelore të njeriut”.
Gjatë prezantimit të arritjeve dhe sfidave të vitit 2025, u nënvizuan edhe disa nga vendimet më të spikatura të vitit 2025, të cilat kanë sjellë zhvillime të rëndësishme në jurisprudencën kushtetuese, duke trajtuar çështje që lidhen me lirinë e shprehjes, mbrojtjen e jetës private dhe të të dhënave personale, paprekshmërinë e banesës dhe ambienteve profesionale, të drejtën e pronës, si dhe standardet e procesit të rregullt ligjor.
Gjatë sesionit të diskutimeve, pjesëmarrësit dhe anëtarët e Gjykatës Kushtetuese ndanë eksperiencat e tyre dhe iu përgjigjën pyetjeve mbi çështjet kryesore të diskutuara, duke nxitur një dialog të hapur e konstruktiv.
Pjesëmarrësit në aktivitet vlerësuan veprimtarinë e Gjykatës Kushtetuese dhe veçanërisht orientimin e saj drejt një qasjeje më transparente ndaj qytetarëve dhe medias.
Në mbyllje të takimit, Kryetarja Papajorgji falenderoi të pranishmit për kontributin dhe nënvizoi nevojën që ky bashkëpunim të vijojë edhe në të ardhmen, pasi përmes shkëmbimit të ideve forcohet më tej kultura kushtetuese dhe besimi i publikut tek drejtësia kushtetuese.











