Pjesëmarrje e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë në Tryezën e Sekretarëve të Përgjithshëm, e organizuar në kuadër të Forumit të Gjykatave Kushtetuese të Ballkanit, 25 qershor 2026
Sekretari i Përgjithshëm i Gjykatës Kushtetuese Eugen Papandile dhe Drejtori i Drejtorisë Ekonomike, Burimeve Njerëzore dhe Shërbimeve Mbështetëse Erion Tafaj morën pjesë në Tryezën e Sekretarëve të Përgjithshëm të organizuar në kuadër të Forumit të Gjykatave Kushtetuese të Ballkanit (BCCF) në Ohër, Maqedonia e Veriut. Tryeza e rrumbullakët me temë: “Organizimi i veprimtarisë së Gjykatës Kushtetuese në përputhje me rregullat për organizimin e brendshëm, sistematizimin e vendeve të punës, si dhe vlerësimin dhe promovimin e punonjësve – Sfidat dhe zgjidhjet”, mblodhi së bashku Sekretarë të Përgjithshëm dhe përfaqësues të gjykatave kushtetuese anëtare të Forumit nga Shqipëria, Bullgaria, Kroacia, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Turqia.
Në kuadër të prezantimeve të zhvilluara, Sekretari i Përgjithshëm i Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë paraqiti modelin e organizimit dhe funksionimit administrativ të kësaj Gjykate, me fokus të veçantë në menaxhimin e burimeve njerëzore, proceset e vlerësimit të performancës dhe politikat që mbështesin zhvillimin profesional të stafit. Gjithashtu, në prezantimin e tij z. Papandile vuri theksin në komunikimin institucional, me një qasje të qartë, të unifikuar dhe transparente, si dhe në nevojën për forcimin e koordinimit administrativ dhe rritjen e efektivitetit në shkëmbimin e informacionit.
Në përfundim të prezantimit, Sekretarit të Përgjithshëm Papandile ju drejtuan pyetje specifike nga pjesëmarrësit, në lidhje me mënyrën zhvillimit të seancave gjyqësore, organizimit dhe funksionimit të drejtorive dhe njësisë së shërbimit ligjor, me procedurat e vlerësimit të performancës së stafit, mënyrat e trajnimit të stafit administrativ (nëpunës civilë dhe këshilltarë ligjorë). Pothuajse nga të gjithë përfaqësuesit e gjykatave kushtetuese, pati një interes të veçantë në lidhje me mënyrën e transmetimit në “livestream” të seancave plenare publike, duke e konsideruar këtë një risi dhe një mënyrë shumë të mirë për rritjen e transparencës me publikun dhe median.
Gjatë sesioneve të punës, diskutimet e pjesëmarrësve u përqendruan në identifikimin e praktikave më të mira dhe të zgjidhjeve ligjore e institucionale që kontribuojnë në rritjen e efikasitetit të administratave të gjykatave kushtetuese, si dhe në forcimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve pjesëmarrëse.
Takimi shërbeu si një platformë e vlefshme për shkëmbimin e përvojave dhe për intensifikimin e bashkëpunimit rajonal, me synim përmirësimin e mëtejshëm të organizimit të brendshëm dhe funksionimit të gjykatave kushtetuese.




