Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë merr pjesë në konferencën ndërkombëtare me rastin e 20-vjetorit të Kushtetutës së Republikës së Serbisë, 29 tetor 2026.

Me rastin e 20-vjetorit të Kushtetutës së Republikës së Serbisë, Gjykata Kushtetuese e Serbisë organizoi konferencën ndërkombëtare me temë: “20 vjet të Kushtetutës së Republikës së Serbisë”, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të gjykatave kushtetuese, Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, Komisionit të Venecias, si dhe të ekspertëve të së drejtës kushtetuese.

Në këtë aktivitet, Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë u përfaqësua nga Sekretari i Përgjithshëm   Eugen Papandile dhe këshilltari ligjor Ermal Tauzi.

Konferenca u përqendrua në katër tematika kryesore: burimet historike të konstitucionalizmit modern, zhvillimet bashkëkohore të konstitucionalizmit në Serbi, kontrollin kushtetues të normave juridike në teori dhe praktikë, si dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut, sfidat dhe perspektivat e saj. Gjatë punimeve u trajtuan çështje që lidhen me pavarësinë e gjyqësorit dhe standardet e drejtësisë kushtetuese, mbrojtjen e të drejtave të njeriut përballë zhvillimeve të inteligjencës artificiale, si dhe dialogun ndërmjet gjykatave kushtetuese dhe Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut.

Konferenca shërbeu si një forum për shkëmbimin e përvojave dhe diskutimin e sfidave bashkëkohore të drejtësisë kushtetuese dhe mbrojtjes së të drejtave themelore.

Scroll to Top