Ceremonia e dorëzimit të dokumentit të projektit dhe Marrëveshjes së Bashkëpunimit midis Agjencisë Suedeze për Bashkëpunimin dhe Zhvillimin Ndërkombëtar – SIDA dhe Këshillit të Evropës.
Më 19 maj 2026, në ambientet e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, u zhvillua ceremonia e dorëzimit të dokumentit të projektit dhe marrëveshjes së bashkëpunimit ndërmjet Ambasadës së Suedisë në Shqipëri dhe Këshillit të Evropës, në kuadër të mbështetjes së projektit të KE “Forcimi i drejtësisë kushtetuese dhe i të drejtave të njeriut në Shqipëri” për zhvillimin dhe funksionalizimin e sistemit elektronik të menaxhimit të çështjeve dhe arkivës digjitale të Gjykatës Kushtetuese.
Në këtë ceremoni morën pjesë Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, znj. Fiona Papajorgji, Ambasadori i Suedisë në Shqipëri, Sh.T.Z. Niklas Ström, Përgjegjësi i Seksionit për Zhvillimin e Bashkëpunimit në Ambasadën Suedeze, z. Erik Illes, si dhe Kreu i Zyrës së Këshillit të Evropës në Tiranë, znj. Gulia Re.
Gjatë fjalëve përshëndetëse, përfaqësuesit e palëve pjesëmarrëse vlerësuan rëndësinë e këtij bashkëpunimi si një kontribut i rëndësishëm në forcimin e rolit dhe kapaciteteve institucionale të Gjykatës Kushtetuese dhe në avancimin e proceseve të digjitalizimit të administrimit gjyqësor, në përputhje me standardet dhe praktikat më të mira evropiane.
Nga ana e saj, Kryetarja Papajorgji shprehu vlerësimin për bashkëpunimin e vyer dhe theksoi se një sistem modern elektronik i menaxhimit të çështjeve përfaqëson jo thjesht një zhvillim teknologjik, por një instrument themelor për rritjen e efikasitetit, transparencës dhe sigurisë në administrimin e çështjeve, forcimin e besimit të publikut te sistemi i drejtësisë, si dhe përmirësimin e aksesit në informacionin gjyqësor.
Projekti dëshmon mbështetjen e vazhdueshme të partnerëve ndërkombëtarë dhe kjo ceremoni merr një rëndësi të veçantë edhe në kuadër të procesit të integrimit evropian të Shqipërisë, pasi forcimi i kapaciteteve institucionale, modernizimi i administrimit gjyqësor dhe avancimi i teknologjisë në sistemin e drejtësisë përbëjnë elemente thelbësore në konsolidimin e shtetit të së drejtës dhe përafrimin me standardet e Bashkimit Evropian.





