Gjykata Kushtetuese e
Republikës së Shqipërisë

Kryesimi nga Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë i Konferencës së Gjykatave Kushtetuese Evropiane 2024–2027

Si ti drejtohemi Gjykatës


Paraqitja e kërkesës
Gjykata vihet në lëvizje me anë të kërkesës, e cila mund të paraqitet dorazi ose me postë në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr. 26, Tiranë.
Individi i cili dëshiron të paraqesë kërkesën dorazi, mund të paraqitet pranë Gjykatës, në Drejtorinë Gjyqësore dhe të Dokumentacionit, çdo ditë pune, nga ora 08.00-16.00.
Në rast të dërgimit të kërkesës me postë, data e paraqitjes së saj konsiderohet data e dorëzimit në zyrën postare.
Në rast se kërkesa është dërguar gabimisht në një institucion tjetër dhe kërkesa është paraqitur në Gjykatën Kushtetuese pas përfundimit të afatit ligjor, kërkesa konsiderohet e paraqitur në afat në rast se provohet se kjo ka ndodhur në mirëbesim.
Ligji nuk parashikon paraqitjen e kërkesës në formë elektronike apo me fax.

Modeli për hartimin e kërkesës në Gjykatën Kushtetuese
Në lidhjen më poshtë gjendet formulari i paraqitjes së kërkesës. Gjithashtu, Gjykata ka hartuar edhe këshilla praktike për plotësimin e tij, të cilat kanë karakter orientues dhe jo detyrues.
Kërkuesi mund të paraqitet edhe pranë Gjykatës Kushtetuese për të tërhequr një model të Formularit, por administrata e Gjykatës nuk mund ta ndihmojë në plotësimin e tij.

Afati kohor për paraqitjen e kërkesës në Gjykatën Kushtetuese

Kërkesat për pajtueshmërinë e ligjit ose të akteve të tjera normative me Kushtetutën ose me marrëveshjet ndërkombëtare të ratifikuara, mund të paraqiten brenda dy vjetëve nga hyrja në fuqi e aktit.Gjykatat e zakonshme mund të paraqesin kërkesë për kontroll incidental në çdo kohë. 
Kërkesat për zgjidhjen e mosmarrëveshjes së kompetencave paraqiten brenda afatit 6-mujor nga çasti i lindjes së konfliktit.Kërkesat për shqyrtimin e kushtetutshmërisë së partive dhe organizatave të tjera politike mund të paraqiten në çdo kohë.
Kërkesa për shqyrtimin e zgjedhshmërisë së deputetëve paraqitet brenda 3 muajve nga konstatimi i faktit të pazgjedhshmërisë.

Ankimi kushtetues individual duhet të paraqitet brenda afatit 4-mujor nga konstatimi i cenimit.

Kriteret formale që duhet të plotësojë një kërkesë drejtuar Gjykatës Kushtetuese

Kërkesa duhet të paraqitet në formë të shkruar në gjuhën shqipe, qartë e kuptueshëm, në aq kopje sa janë pjesëmarrësit në gjykim.

Ajo duhet të përmbajë:
emrin dhe adresën e Gjykatës Kushtetuese;
emrin, mbiemrin ose emërtimin, vendbanimin ose vendqëndrimin e kërkuesit dhe/ose të përfaqësuesit;
emrin, mbiemrin ose emërtimin, vendbanimin ose vendqëndrimin e subjekteve të interesuara dhe/ose të përfaqësuesve;
objektin e kërkesës dhe bazën ligjore;
parashtrimin e shkaqeve dhe shkeljet e natyrës kushtetuese të pretenduara;
dokumentet, provat, apo materiale të tjera që shoqërojnë kërkesën;
kopje të noterizuara të të gjitha vendimeve objekt kërkese, si dhe të ankimeve dhe rekurseve të paraqitura në instancat e tjera gjyqësore;
nënshkrimin e kërkuesit ose të përfaqësuesit të tij, si dhe aktin e përfaqësimit të këtij të fundit.

Kërkesa e paplotë

Në rast të paraqitjes së një kërkese të paplotë, Drejtoria Gjyqësore dhe e Dokumentacionit njofton kërkuesin për plotësimin e saj brenda një afati 10-ditor. Në këto raste kërkesa konsiderohet e paplotë dhe nuk regjistrohet në regjistrin e kërkesave.
Nëse kërkesa nuk plotësohet brenda afatit të caktuar ajo arkivohet.

Kopje të dokumenteve të paraqitura bashkëlidhur kërkesës

Kërkuesi mund të marrë kopje të dokumenteve të paraqitura. Në këtë rast ai duhet të paraqesë kërkese me shkrim në Drejtorinë Gjyqësore dhe të Dokumentacionit.

Përfaqësimi me avokat

Në Gjykatën Kushtetuese nuk është i detyrueshëm përfaqësimi me avokat. Në rast se individi ka zgjedhur të përfaqësohet nga një avokat, ai i bashkëngjit kërkesës aktin e përfaqësimit dhe në një rast të tillë të gjitha njoftimet e Gjykatës i drejtohen përfaqësuesit.
Gjatë shqyrtimit të çështjes në seancë plenare, organet shtetërore përfaqësohen nga drejtuesit e tyre ose persona të autorizuar me shkrim, kurse individët mund të përfaqësohen vetë ose me avokat të pajisur me prokurë ose të caktuar me deklarim në seancë.
Në rast se objekt kërkese është një ligj ose një akt normativ, kërkuesi përfaqësohet në gjykim me avokat ose përfaqësues ligjor të specializuar.

Scroll to Top