Gjykata Kushtetuese e
Republikës së Shqipërisë

Kryesimi nga Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë i Konferencës së Gjykatave Kushtetuese Evropiane 2024–2027

Organizimi

Përbërja


Gjykata Kushtetuese përbëhet nga 9 anëtarë. Tre anëtarë emërohen nga Presidenti i Republikës, tre anëtarë zgjidhen nga Kuvendi dhe tre anëtarë zgjidhen nga Gjykata e Lartë. Gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese qëndrojnë në detyrë për 9 vjet, pa të drejtë riemërimi.

Aktualisht ajo ka në përbërje 8 anëtarë.
Përbërja e Gjykatës Kushtetuese përtërihet çdo 3 vjet me një të tretën e saj, sipas procedurës së përcaktuar me ligj.

Gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese duhet të kenë arsim të lartë juridik, të paktën 15 vjet përvojë pune si gjyqtarë, prokurorë, avokatë, profesorë ose lektorë të së drejtës, nëpunës të nivelit të lartë në administratën publike, me një veprimtari të spikatur në fushën e së drejtës kushtetuese, të drejtave të njeriut ose në sfera të tjera të së drejtës.
Gjyqtari nuk duhet të ketë mbajtur funksione politike në administratën publike ose pozicione drejtuese në një parti politike gjatë 10 vjetëve të fundit përpara kandidimit.
Kritere të tjera, si dhe procedura për emërimin dhe zgjedhjen e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese rregullohen me ligj.

Mandati i gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese mbaron kur:
a) mbush moshën 70 vjeç;
b) përfundon mandatin 9-vjeçar;
c) jep dorëheqjen;
ç) shkarkohet sipas parashikimeve të nenit 128 të Kushtetutës;
d) vërtetohen kushtet e pazgjedhshmërisë dhe të papajtueshmërisë në ushtrimin
e funksionit;
dh) vërtetohet fakti i pamundësisë për të ushtruar detyrën.

Mbarimi i mandatit të gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese deklarohet me vendim të Gjykatës Kushtetuese.Në rast se vendi i gjyqtarit mbetet vakant, organi i emërtesës emëron një gjyqtar të ri, i cili qëndron në detyrë deri në përfundimin e mandatit të gjyqtarit të larguar.

Drejtimi i Gjykatës


Veprimtaria e Gjykatës Kushtetuese drejtohet dhe organizohet nga Kryetari i saj.
Kryetari i Gjykatës Kushtetuese zgjidhet me votim të fshehtë, me shumicën e votave të të gjithë gjyqtarëve të Gjykatës Kushtuese, për një periudhë 3-vjeçare me të drejtë rizgjedhjeje vetëm një herë.
Gjyqtare Fiona Papajorgji, PhD, u zgjodh njëzëri në detyrën e Kryetares së Gjykatës Kushtetuesese nga Mbledhja e Përgjithshme e Gjyqtarëve më 18 Dhjetor 2025.


Kryetari i Gjykatës Kushtetuese ka këto kompetenca:
a) përgatit, thërret e drejton seancat plenare të Gjykatës Kushtetuese;
b) përfaqëson Gjykatën Kushtetuese në marrëdhënie me të tretët;
c) bashkërendon punën midis gjyqtarëve;
ç) nënshkruan aktet e Gjykatës Kushtetuese, me përjashtim të vendimeve që nënshkruhen nga të gjithë gjyqtarët;
d) emëron dhe largon nga detyra stafin administrativ, si dhe merr masa disiplinore ndaj tij.

Mbledhja e Gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese


 a) përcakton drejtimet kryesore të shpenzimeve të mjeteve buxhetore;
b) informohet çdo 6 muaj me raporte për shpenzimet buxhetore;
c) vendos për strukturën organizative të Gjykatës Kushtetuese;
ç) vendos për numrin e nëpunësve të administratës, të Njësisë së Shërbimit Ligjor dhe punonjësve të tjerë, si dhe kriteret profesionale që duhet të përmbushin dhe pagat e tyre;
d) miraton rregulloren për procedurat gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese, si dhe rregulloren e brendshme për veprimtarinë e administratës së Gjykatës Kushtetuese;
dh) emëron dhe shkarkon Sekretarin e Përgjithshëm;
e) cakton kolegjet në fillim të çdo viti kalendarik, sipas Rregullores së Gjykatës Kushtetuese;
ë) shqyrton në shkallë të fundit ankimet e nëpunësve civilë dhe punonjësve të tjerë për largimin nga detyra;
f) vendos për masat disiplinore ndaj këshilltarëve ligjorë. 

Administrata

Administrata e Gjykatës përbëhet nga nëpunës civilë dhe punonjës të tjerë.
Nëpunësit civilë të administratës së Gjykatës Kushtetuese u nënshtrohen rregullave të shërbimit civil për aq sa nuk bien ndesh me ligjin organik të kësaj gjykate dhe trajtohen financiarisht njëlloj si administrata e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë.
Sekretari i Përgjithshëm është nëpunësi më i lartë civil dhe emërohet nga Mbledhja e Gjyqtarëve.

Kabineti


Në ushtrimin e funksioneve të tij Kryetari asistohet nga Kabineti.

Kabineti drejtohet nga Dr. Valbona Bala. Klesiana Omeri shërben si Këshilltare për Mediat ndërsa Erinda Shkreli dhe Olta Lolo si Këshilltare pranë Kryetares.

Njësia e Shërbimit Ligjor

Përbën bërthamën shkencore juridike të Gjykatës Kushtetuese. Ajo ushtron veprimtari këshilluese dhe ndihmëse në procesin vendimmarrës të Gjykatës Kushtetuese duke përfshirë: përgatitjen e çështjeve për gjykim, dhënien e opinioneve ligjore dhe përgatitjen e kërkimeve shkencore për çështjet gjyqësore që janë për shqyrtim para Gjykatës Kushtetuese.
Njësia e Shërbimit Ligjor është në varësi të Kryetarit, i cili për çdo çështje gjyqësore cakton këshilltarin ligjor, duke marrë për bazë përvojën profesionale dhe ekspertizën ligjore të tij.
Njësia e Shërbimit Ligjor përbëhet nga këshilltarë ligjorë, të cilët emërohen nga Kryetari, nga radhët e juristëve që plotësojnë kriteret për të qenë gjyqtarë, prokurorë ose juristë me përvojë jo më pak se 10 vjet si lektorë të së drejtës, avokatë ose nëpunës të lartë të administratës publike. Numri i këshilltarëve ligjorë caktohet me vendim të Mbledhjes së Gjyqtarëve. Jo më pak se gjysma e numrit të përgjithshëm të këshilltarëve ligjorë emërohen nga radhët e magjistratëve.   

Scroll to Top