Gjykata Kushtetuese e
Republikës së Shqipërisë

Kryesimi nga Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë i Konferencës së Gjykatave Kushtetuese Evropiane 2024–2027

Aksesi në Gjykatë


Gjykata Kushtetuese është e hapur për publikun, palët në proces, përfaqësuesit ligjorë, përfaqësuesit e medias në përputhje me rregullat që zbatohen për hyrjen në institucion dhe zhvillimin e seancave gjyqësore.Përpara vizitës, ju rekomandojmë të njiheni me informacionin mbi orarin, vendndodhjen, seancat gjyqësore, kushtet e hyrjes dhe masat e sigurisë.

Orari i Gjykatës

Gjykata Kushtetuese është e hapur nga e hëna deri të premten, gjatë orarit zyrtar të punës 08:00-16:00, me përjashtim të festave zyrtare.

Zyra e Protokollit pranon kërkesat dhe dokumentacionin gjatë ditëve të punës, brenda këtij orari.

Adresa:

Gjykata Kushtetuese e Republikës së ShqipërisëBulevardi Dëshmorët e Kombit, Tiranë 1000, Albania, Tiranë, Shqipëri.

Ndjekja e një seance gjyqësore

Çështjet përpara Gjykatës Kushtetuese shqyrtohen:
• në seancë plenare publike; ose
• në seancë plenare mbi bazë të dokumenteve, pa praninë e palëve dhe të publikut.

Datat dhe oraret e seancave të planifikuara publikohen në kalendarin e seancave, së bashku me të dhënat për kërkuesin, subjektet e interesuara dhe objektin e çështjes.
Në rastet e parashikuara nga Kushtetuta dhe ligji, Gjykata mund të vendosë zhvillimin e seancës ose të një pjese të saj me dyer të mbyllura.

Kushdo mund të marrë pjesë në një seancë plenare publike, për aq sa e lejon kapaciteti i sallës plenare. Hyrja në sallë bëhet sipas udhëzimeve të personelit dhe sipas rregullave të sigurisë së Gjykatës.

Formulari i akreditimit në lidhjen më poshtë siguron pjesëmarrjen dhe njohjen profesionale të individëve në seancat publike. Ky formular përdoret për aplikimin për akreditim në Gjykatën Kushtetuese të Shqipërisë. Ai kërkon të dhëna personale dhe profesionale, si emri, mbiemri, profesioni, media, numri i pasaportës, dhe përvoja në fushën e drejtësisë.

Rregullat gjatë seancës

Për të garantuar zhvillimin normal të seancës, personat e pranishëm duhet:
të paraqiten në kohë;
t’i nënshtrohen kontrollit të sigurisë;
të ruajnë rendin dhe qetësinë;
të mbajnë veshje të përshtatshme;të respektojnë udhëzimet e kryesuesit të seancës dhe të personelit të sigurisë;
të mbajnë telefonat celularë në modalitet pa zë dhe të mos i përdorin gjatë zhvillimit të seancës.

Palët në proces mund të përdorin pajisje elektronike vetëm për mbajtjen e shënimeve dhe për nevojat e mbrojtjes gjatë gjykimit. Mosrespektimi i këtyre rregullave mund të sjellë largimin nga salla e gjykimit.

Transmetimi i drejtpërdrejtë i seancave plenare publike

Kur kushtet teknike e mundësojnë, seancat plenare publike transmetohen drejtpërdrejt në kanalin e saj zyrtar në YouTube.
Njoftimi për transmetimin e drejtpërdrejtë shfaqet pranë Kalendarit të Seancave në faqen kryesore të Gjykatës Kushtetuese, dhe kanali Youtube aksesohet duke klikuar rubrikën “Transmetim i drejtpërdrejtë”. Gjithashtu për të parë seancat e regjistruara mund të aksesoni edhe rubrikën “Video Seanca” në faqen e internetit të Gjykatës.

Vendimmarrja e Gjykatës

Njoftimet për vendimet e kalimit të çështjeve në seancë plenare, vendimmarrjet përfundimtare dhe vendimet për moskalimin e çështjeve publikohen në rubrikën "Njoftime mbi Vendimmarrjen".
Vendimet më të fundit shfaqen pranë motorit të kërkimit të vendimeve në faqen kryesore të Gjykatës Kushtetuese.
Vendimet përfundimtare apo ato për moskalimin e çështjes në seancë plenare publikohen të plota në rubrikën “Jurisprudenca”.

Vizitat në Gjykatën Kushtetuese

Në kuadër të edukimit ligjor dhe rritjes së transparencës, Gjykata Kushtetuese mirëpret vizita të organizuara nga:
• nxënës dhe studentë;
• institucione publike;
• organizata të shoqërisë civile;
• grupe të tjera të interesuara.

Gjatë vizitës, pjesëmarrësit mund të njihen me mjediset e institucionit, historikun dhe misionin e Gjykatës, mënyrën e shqyrtimit të çështjeve kushtetuese dhe rëndësinë e drejtësisë kushtetuese për demokracinë dhe shtetin e së drejtës. Datat dhe oraret përcaktohen në varësi të kalendarit institucional dhe zhvillimit të seancave. Kërkesa për vizitë duhet të përmbajë arsyen e vizitës, periudhën e preferuar dhe të dhënat e institucionit ose grupit kërkues.
Për më shumë informacion vizitoni nënfaqen përkatës “Ditët e hapura”.

Të dhënat e kontaktit

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr. 26 Tiranë, Shqipëri.
Telefon: +355 4 22 31 603
E-mail: info@gjk.gov.al
Orari: e hënë–e premte, 08:00–16:00.

Scroll to Top