Gjykata Kushtetuese është e hapur për publikun, palët në proces, përfaqësuesit ligjorë, përfaqësuesit e medias në përputhje me rregullat që zbatohen për hyrjen në institucion dhe zhvillimin e seancave gjyqësore.Përpara vizitës, ju rekomandojmë të njiheni me informacionin mbi orarin, vendndodhjen, seancat gjyqësore, kushtet e hyrjes dhe masat e sigurisë.
Ndjekja e një seance gjyqësore
Çështjet përpara Gjykatës Kushtetuese shqyrtohen:
• në seancë plenare publike; ose
• në seancë plenare mbi bazë të dokumenteve, pa praninë e palëve dhe të publikut.
Datat dhe oraret e seancave të planifikuara publikohen në kalendarin e seancave, së bashku me të dhënat për kërkuesin, subjektet e interesuara dhe objektin e çështjes.
Në rastet e parashikuara nga Kushtetuta dhe ligji, Gjykata mund të vendosë zhvillimin e seancës ose të një pjese të saj me dyer të mbyllura.
Kushdo mund të marrë pjesë në një seancë plenare publike, për aq sa e lejon kapaciteti i sallës plenare. Hyrja në sallë bëhet sipas udhëzimeve të personelit dhe sipas rregullave të sigurisë së Gjykatës.
Përfaqësuesit e medias
Përfaqësuesit e medias mund të ndjekin seancat plenare publike, për aq sa prania e tyre nuk pengon zhvillimin normal të seancës. Regjistrimet audio, video, radiofonike ose televizive lejohen vetëm me miratimin paraprak të Gjykatës. Gjatë seancës lejohen vetëm komunikimet e shkruara nga pajisjet elektronike. Telefonatat dhe komunikimet me zë nuk lejohen.
Rregullorja për marrëdhëniet e Gjykatës Kushtetuese me mediat është e publikuar në lidhjen më poshtë dhe gjykata e merr të mirëqenë faktin se ju jeni njohur tashmë me përmbajtjen e kësaj rregulloreje.
Formulari i dedikuar për median
Përfaqësuesit e medias kanë mundësinë të ndjekin nga afër punën e Gjykatës përmes plotësimit të formularit të dedikuar. Formulari për praninë e medias në lidhjen më poshtë lehtëson ndjekjen e seancave dhe regjistrimet audio-video, duke garantuar përfaqësimin korrekt të ngjarjeve. Të nënshkruarit duhet të garantojnë respektimin e rregullave të parashikuara në Rregulloren për marrëdhëniet e Gjykatës Kushtetuese me mediat.
Rregullat gjatë seancës
Për të garantuar zhvillimin normal të seancës, personat e pranishëm duhet:
të paraqiten në kohë;
t’i nënshtrohen kontrollit të sigurisë;
të ruajnë rendin dhe qetësinë;
të mbajnë veshje të përshtatshme;
të respektojnë udhëzimet e kryesuesit të seancës dhe të personelit të sigurisë;
të mbajnë telefonat celularë në modalitet pa zë dhe të mos i përdorin gjatë zhvillimit të seancës.
Palët në proces mund të përdorin pajisje elektronike vetëm për mbajtjen e shënimeve dhe për nevojat e mbrojtjes gjatë gjykimit. Mosrespektimi i këtyre rregullave mund të sjellë largimin nga salla e gjykimit.
Transmetimi i drejtpërdrejtë i seancave plenare publike
Kur kushtet teknike e mundësojnë, seancat plenare publike transmetohen drejtpërdrejt në kanalin e saj zyrtar në YouTube.
Njoftimi për transmetimin e drejtpërdrejtë shfaqet pranë Kalendarit të Seancave në faqen kryesore të Gjykatës Kushtetuese, dhe kanali Youtube aksesohet duke klikuar rubrikën “Transmetim i drejtpërdrejtë”. Gjithashtu për të parë seancat e regjistruara mund të aksesoni edhe rubrikën “Video Seanca” në faqen e internetit të Gjykatës.
Vendimmarrja e Gjykatës
Njoftimet për vendimet e kalimit të çështjeve në seancë plenare, vendimmarrjet përfundimtare dhe vendimet për moskalimin e çështjeve publikohen në rubrikën "Njoftime mbi Vendimmarrjen".
Vendimet më të fundit shfaqen pranë motorit të kërkimit të vendimeve në faqen kryesore të Gjykatës Kushtetuese.
Vendimet përfundimtare apo ato për moskalimin e çështjes në seancë plenare publikohen të plota në rubrikën “Jurisprudenca”.
Të dhënat e kontaktit
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr. 26 Tiranë, Shqipëri
E-mail: klesjana.omeri@gjk.gov.al
Orari: e hënë–e premte, 08:00–16:00.
