Ankimi Kushtetues Individual - mjeti i aksesit të individit në Gjykatën Kushtetuese
Nëse individi vlerëson se personalisht dhe drejtpërdrejt i janë cenuar një ose më shumë të drejta themelore kushtetuese nga autoritetet publike, mund të paraqesë kërkesë në Gjykatën Kushtetuese.
Ankimi kushtetues individual, i parashikuar me ndryshimet kushtetuese të vitit 2016, është mjeti i ri që i garanton individit, person fizik apo juridik, subjekt i së drejtës private dhe publike, aksesin në Gjykatën Kushtetuese për të mbrojtur të drejtat dhe liritë themelore të garantuara nga Kushtetuta përballë organeve të pushtetit publik.
Gjithsesi ankimi kushtetues individual nuk është një mjet i zakonshëm ankimi, ai është një mjet i jashtëzakonshëm me anë të të cilit Gjykata shqyrton vetëm nëse janë shkelur dispozitat kushtetuese dhe nuk shqyrton mënyrën se si gjykatat kanë interpretuar ligjin apo kanë zgjidhur çështjen.
Kundërshtimi i një ligji ose akti normativ në Gjykatën Kushtetuese nga Individi
Objekt i ankimit kushtetues individual, në raste të veçanta, mund të jetë edhe ligji ose akti normativ.
Ligji organik i Gjykatës i ka përfshirë individët në subjektet që kanë të drejtën për të filluar një kontroll për pajtueshmërinë e ligjit ose akteve të tjera normative me Kushtetutën ose marrëveshjet ndërkombëtare, por vetëm nëse pretendojnë se u cenohen në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe reale të drejtat dhe liritë e tyre të parashikuara në Kushtetutë, pasi të kenë shteruar të gjitha mjetet juridike për këtë qëllim, si dhe kur akti që kundërshtojnë është drejtpërdrejt i zbatueshëm dhe nuk parashikon nxjerrjen e akteve nënligjore për zbatimin e tij.
Kriteret ligjore që duhet të përmbushen për paraqitjen e ankimit kushtetues individual
Për paraqitjen e një ankimi kushtetues individual individi duhet të provojë se:
ka shteruar të gjitha mjetet juridike efektive para se t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese ose kur legjislacioni i brendshëm nuk parashikon mjete juridike efektive në dispozicion;
ka respektuar afatin 4-mujor nga konstatimi i cenimit;pasojat negative të pretenduara janë të drejtpërdrejta dhe reale për kërkuesin;shqyrtimi i çështjes nga Gjykata Kushtetuese do të mund të rivendoste në vend të drejtën e shkelur.
Si rregull, përpara paraqitjes së ankimit kushtetues individual kërkuesi duhet të provojë se ka shteruar të gjitha mjetet e ankimit përpara gjykatave të zakonshme, ose të gjitha mjetet ligjore të disponueshme për të korrigjuar ose kundërshtuar shkeljen e pretenduar (i ashtuquajturi subsidiariteti i ankimit kushtetues).
Nëse ndonjë mjet ankimi nuk është shteruar, duhet të provohet se ai mjet nuk ekziston ose ka qenë i padobishëm.
Çfarë vendos Gjykata nëse pranon ankimin kushtetues individual
Gjykata Kushtetuese shqyrton nëse akti i pushtetit publik, pjesërisht ose tërësisht, ose vendimi gjyqësor është në përputhje me Kushtetutën dhe me marrëveshjet ndërkombëtare. Nëse objekt i shqyrtimit të ankimit kushtetues individual është ligji apo akti normativ, Gjykata Kushtetuese mund të shprehet edhe për dispozita të tjera që nuk janë objekt i kërkesës, në rast se çmon se kanë lidhje me çështjen në gjykim.
Kur Gjykata Kushtetuese shqyrton kushtetutshmërinë e një akti të pushtetit publik dhe arrin në përfundimin se ai bazohet mbi një ligj ose akt normativ antikushtetues, gjykata vendos njëkohësisht edhe shfuqizimin e ligjit ose aktit normativ. Në këtë rast efektet e vendimit të Gjykatës Kushtetuese nuk shtrihen ndaj akteve që kanë përfunduar efektet ose vendimeve gjyqësore që kanë marrë formë të prerë.
