Simbolika
Stema e Gjykatës Kushtetuese
Stema e Gjykatës përmban simbolin e shqiponjës dykrenore mbi të cilën është vendosur përkrenarja e heroit kombëtar Gjergj Kastriotit, Skënderbeut duke simbolizuar identitetin kombëtar shoqëruar me një ngjyrë të artë që simbolizon solemnitetin institucional. Në zemër të shqiponjës ndodhet një medalje rreth e qark së cilës është shkruar Republika e Shqipërisë, Gjykata Kushtetuese dhe nën të rrethohet nga gjethe të dushkut me ngjyrë
të gjelbër që simbolizojnë qëndrueshmërinë dhe vazhdimësinë e rendit kushtetues. Në qendër të medaljes ngrihet mbi një sfond blu peshorja e drejtësisë duke përçuar objektivitet dhe paanësi.
Në pjesën mbështetëse të peshores gdhendet viti i themelimit të Gjykatës Kushtetuese, 1992.
Toga e Gjyqtarit Kushtetues
Gjyqtari Kushtetues mban një togë solemne e karakterizuar nga një pëlhurë e zezë me pjesë kadife që transmeton dinjitet, autoritet e solemnitet e shoqëruar me shirita të kuq në kraharor
dhe mëngë të cilat theksojnë simbolikën kombëtare. Në krahun e majtë, në sup, bien 3 kordonë të lëshuar, 2 me ngjyrë të kuqe dhe 1 me ngjyrë floriri të verdhë të cilët përforcojnë karakterin ceremonial dhe solemn të veshjes. Në krahun e majtë, në kraharorin e Gjyqtarit Kushtetues, vendoset emblema e Gjykatës, si elementi më i rëndësishëm identifikues që shënon identitetin përfaqësues të autoritetit të institucionit.
Selia e Gjykatës Kushtetuese
Selia e Gjykatës Kushtetuese ndodhet në zemër të Tiranës, në një nga krahët e një prej godinave më përfaqësuese të bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, ku janë rreshtuar institucionet
më të rëndësishme shtetërore si Kryesia e Kuvendit, Kryeministria, Presidenca si dhe institucione të tjera qendrore të administratës shtetërore.
Vendndodhja e Gjykatës në aksin kryesor institucional të kryeqytetit, simbolizon dhe thekson rolin e saj si organi më i lartë për garantimin e Kushtetutës, ndarjen dhe balancimin e pushteteve dhe mbrojtjen e të drejtave themelore.
Godina u projektua në vitin 1953 dhe përbën një shembull të spikatur të arkitekturës neoklasike në Tiranë, ajo mishëron stilin monumental karakteristik të ndërtesave zyrtare të ndikuara nga estetika e periudhës sovjetike, duke ndërthurur elemente klasike me funksionalitetin modern.
Pas ndryshimeve demokratike të vitit 1991, godina mori një funksion të ri institucional. Në këtë hapësirë u vendosën institucione të rëndësishme shtetërore, si Kryesia e Kuvendit, Gjykata Kushtetuese, Avokati i Popullit, Kontrolli i Lartë i Shtetit, etj.