Funksioni
Gjykata Kushtetuese zgjidh mosmarrëveshjet kushtetuese dhe bën interpretimin përfundimtar të Kushtetutës. Ajo i nënshtrohet vetëm Kushtetutës. Gjykata Kushtetuese ka buxhet të veçantë, të cilin e administron në mënyrë të pavarur.
Gjykata Kushtetuese jep drejtësi kushtetuese, me integritet dhe besueshmëri të lartë nga publiku, duke garantuar respektimin dhe mbrojtjen e dinjitetit të njeriut, të drejtave dhe lirive të tij, si dhe shtetit të së drejtës.
Misioni i Gjykatës Kushtetuese është të garantojë epërsinë e Kushtetutës dhe forcimin e demokracisë në vend, nëpërmjet zgjidhjes së mosmarrëveshjeve kushtetuese dhe interpretimit përfundimtar të Kushtetutës.
Kompetencat e Gjykatës Kushtetuese
Gjykata Kushtetuese shqyrton:
Pajtueshmërinë e ligjeve dhe akteve normative të organeve qendrore e vendore me Kushtetutën dhe marrëveshjet ndërkombëtare.
Pajtueshmërinë e marrëveshjeve ndërkombëtare me Kushtetutën, para ratifikimit të tyre.
Mosmarrëveshjet e kompetencës ndërmjet pushteteve, si dhe ndërmjet pushtetit qendror dhe qeverisjes vendore.
Kushtetutshmërinë e partive politike, organizatave të tjera politike dhe veprimtarisë së tyre.
Çështjet që lidhen me Presidentin e Republikës, përfshirë shkarkimin nga detyra, pamundësinë për ushtrimin e funksioneve, zgjedhshmërinë dhe papajtueshmëritë kushtetuese.
Çështjet që lidhen me zgjedhshmërinë, papajtueshmëritë dhe verifikimin e zgjedhjes së deputetëve dhe funksionarëve të organeve të parashikuara në Kushtetutë.
Kushtetutshmërinë e referendumit dhe verifikimin e rezultateve të tij.
Ankimet ndaj vendimeve të Këshillit të Ministrave për shpërndarjen ose shkarkimin e organeve të qeverisjes vendore.
Ankimet kundër vendimeve të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë për shkarkimin e gjyqtarëve ose prokurorëve.
Pezullimin nga detyra dhe shkarkimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, anëtarëve të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Prokurorit të Përgjithshëm dhe Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.
Ankesat individuale kundër çdo akti të pushtetit publik ose vendimi gjyqësor që cenon të drejtat dhe liritë themelore të garantuara në Kushtetutë.
Gjykata Kushtetuese gjithashtu vendos edhe mbi kushtetutshmërinë e:
Vendimit të Kuvendit për shkarkimin e Presidentit të Republikës.
Vendimit për shkarkimin e gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë.
Vendimit të Këshillit të Ministrave për shkarkimin e kryetarëve të komunave ose bashkive.
Subjektet që vënë në lëvizje Gjykatën Kushtetuese
a) Presidenti i Republikës
b) Kryeministri
c) Jo më pak se një e pesta e deputetëve
ç) Avokati i Popullit
d) Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit
dh) Çdo gjykatë, sipas nenit 145, pika 2, të Kushtetutës
e) Çdo komisioner i krijuar me ligj për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të garantuara nga Kushtetuta
ë) Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë
f) Organet e qeverisjes vendore
g) Organet e bashkësive fetare
gj) Partitë politike
h) Organizatat
i) Individët
Vendimet e Gjykatës Kushtetuese
Hyrja në fuqi
Vendimet hyjnë në fuqi ditën e publikimit në Fletoren Zyrtare ose në një datë tjetër të përcaktuar në vendim.
Detyrimi për zbatim
Zbatimi i vendimeve të Gjykatës përbën një detyrim kushtetues, për sa kohë Kushtetuta shprehet qartësisht për forcën detyruese që kanë ato mbi të gjitha organet kushtetuese dhe autoritetet publike, duke përfshirë edhe gjykatat.