Gjykata Kushtetuese e
Republikës së Shqipërisë

Kryesimi nga Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë i Konferencës së Gjykatave Kushtetuese Evropiane 2024–2027

Kronologji

1991–1992

Hidhen bazat kushtetuese të rendit të ri demokratik me miratimin e dispozitave kryesore kushtetuese me ligjin nr. 7491, datë 29.04.1991, si dhe ndryshimet e plotësimet ndaj tij me ligjin nr. 7561, datë 29.04.1992.

19 maj 1992

Krijimi i Gjykatës Kushtetuese

Gjykata Kushtetuese fillon veprimtarinë e saj si organi më i lartë për garantimin e supremacisë së Kushtetutës dhe interpretimin përfundimtar të saj. Gjykata përbëhej nga 9 anëtarë, 5 zgjidheshin nga Kuvendi dhe 4 nga Presidenti i Republikës. Kryetari i parë i Gjykatës Kushtetuese u zgjodh gjyqtari Rustem Gjata me votim të fshehtë nga vetë gjyqtarët. Gjyqtarja Natasha Sheshi ishte anëtarja e parë grua e gjykatës, pjesë e trupës së parë gjyqësore.

13 korrik 1992

Mbahet seanca e parë gjyqësore me dyer të hapura dhe në të njëjtën ditë Gjykata shpall edhe vendimin e parë të saj.

28 nëntor 1998

Hyrja në fuqi e Kushtetutës

Hyn në fuqi Kushtetuta. Konsolidohet roli i Gjykatës në arkitekturën institucionale. Gjyqtarët kushtetues emërohen nga Presidenti i Republikës me pëlqimin e Kuvendit dhe Kryetari emërohet nga Presidenti i Republikës me pëlqimin e Kuvendit për një periudhë 3-vjeçare, me të drejtë riemërimi.

10 shkurt 2000

Miratohet nga Kuvendi ligji organik i Gjykatës Kushtetuese, me nr. 8577, datë 10.02.2000, i hartuar me ndihmën e Komisionit të Venecias. Ky ligj rregullonte çështje të tilla si mënyra e paraqitjes së kërkesës, shqyrtimi paraprak, procedurat e gjykimit, statusi dhe mandati i gjyqtarit.

22 korrik 2016

Reforma në Drejtësi

Reforma në drejtësi sjell rishikime të rëndësishme në organizimin, funksionimin dhe kompetencat e Gjykatës Kushtetuese, përfshirë formulën e zgjedhjes dhe emërimit të gjyqtarëve. Ridimensionohen kompetencat dhe zgjerohet ankimi individual, me qëllim forcimin e mbrojtjes së të drejtave themelore dhe rritjen e efikasitetit të kontrollit kushtetues.

2018–sot

Gjykata Kushtetuese u drejtua për herë të parë nga një anëtare grua në vitin 2018, me ushtrimin nga gjyqtarja Vitore Tusha të kompetencave të Kryetares në detyrë. Në periudhën 2023–2025 Gjykata vijoi të drejtohej nga gjyqtarja Holta Zaçaj dhe aktualisht, prej dhjetorit të vitit 2025, Kryetare e Gjykatës është gjyqtarja Fiona Papajorgji.

Scroll to Top