Programi i Transparencës
Përditësimi 25/7/2026
PROGRAMI TRANSPARENCËS
GJYKATA KUSHTETUESE
Në përputhje me ligjin nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, të ndryshuar dhe nenin 7 të ligjit nr. 119/2014 “Për të drejtën e Informimit”, Gjykata Kushtetuese publikon “Programin e Transparencës” (në vijim PT) sipas modelit të miratuar nga Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale.
Informacioni në PT publikohet i përditësuar, në çdo rast që pëson ndryshime, duke shënuar edhe datën e përditësimit të fundit. Në PT janë të specifikuara kategoritë e informacionit të detyrueshëm për t’u bërë publik. Informacioni publik pa kërkesë duhet të jetë: i plotë, i saktë, i përditësuar, i thjeshtë në konsultim, i kuptueshëm, lehtësisht i aksesueshëm dhe i pajtueshëm me dokumentet origjinale në posedim të Gjykatës Kushtetuese. Gjithashtu, përpara publikimit të informacionit, Gjykata vlerëson nëse ka ndonjë kufizim ligjor për publikim.
Aktet që përmbajnë rregulla, norma apo kufizime të të drejtave dhe lirive themelore të individit, si dhe me efekt të drejtpërdrejtë për ta, bëhen publike me anë të afishimit apo postimit në faqen zyrtare të internetit, brenda 48 orëve prej miratimit të aktit nga Gjykata Kushtetuese. Nëse Gjykata nuk ka/zotëron informacione pjesë përbërëse të PT, atëherë bën shënimin përkatës (psh: nuk ka informacion, nuk ofron shërbimin).